Pas një sëmundjeje të gjatë është ndarë nga jeta regjisori i njohur shqiptar Dhimitër Anagnosti, një prej figurave më të spikatura të kinematografisë shqiptare të shekullit XX.
Anagnosti lindi dhe u shkollua fillimisht në Vlorë, ndërsa në vitet 1954–1960 ndoqi studimet në Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Si punë diplome, së bashku me Viktor Gjikën, realizoi filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, i cili fitoi Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë (1961).
Pas kthimit në atdhe nisi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re”, fillimisht si operator në filmat “Debatik” dhe “Toka jonë”. Në vitin 1966 debutoi si regjisor me filmin “Komisari i dritës”, bashkë me Gjikën, dhe një vit më pas me “Duel i heshtur”. Në një karrierë mbi 40-vjeçare ai realizoi 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe 15 skenarë, duke fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Për veprimtarinë e tij artistike u nderua me titullin “Artist i Popullit” (1987) dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar. Krahas artit, Anagnosti u përfshi edhe në politikë pas viteve ’90: ishte deputet i Partisë Demokratike (1991–1996) dhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (1992–1994). Ai themeloi gjithashtu Fondacionin “Fan Noli” për artin dhe kulturën.
Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë dramën “Nata e trokitjeve në xham”, ndërsa filmi i tij i fundit, “Gjoleka, djali i Abazit” (2005), u vlerësua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren e njohur Roza Anagnosti. Ai do të kujtohet për një galeri filmash që kanë lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare.
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)