Një konflikt i nisur në orët e para të mëngjesit në një prej komplekseve më të njohura të Ksamilit përfundoi me vrasjen e një turisti të ri portugez, ndërsa hetimet që pasuan ngjarjen kanë zbuluar një dinamikë shumë më të gjerë se përplasja fillestare. Deri tani janë arrestuar disa persona, mes tyre punonjës të lokalit, dy shtetas turq dhe punonjës të institucioneve shtetërore, ndërsa persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Viktima është Luis Miguel Varela Mendes, një i ri portugez i lindur në vitin 2005, i cili ndodhej në Ksamil për pushime. Në orët e para pas ngjarjes pati konfuzion edhe për identitetin e tij. Policia e raportoi fillimisht viktimën si shtetas francez, por më vonë korrigjoi informacionin duke sqaruar se bëhej fjalë për një shtetas portugez.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 18 gushtit, ndërsa rreth orës 05:15 trupi i të riut u konstatua pranë shezlongëve në zonën e plazhit. Hetimet e mëvonshme e zhvendosën vëmendjen te kompleksi “Principotes”, ku dyshohet se kishte nisur konflikti që përfundoi me vrasjen e turistit.
Si nisi konflikti
Një prej pikave kryesore që hetuesit po përpiqen të sqarojnë është shkaku fillestar i sherrit. Nga dëshmitë dhe të dhënat e deritanishme rezulton se përplasja mund të ketë nisur pas një episodi që lidhej me një vajzë.
Miqtë e viktimës, të marrë në pyetje pas ngjarjes, kanë deklaruar se brenda ambienteve të “Principotes” kishte nisur një konflikt pas ngacmimit të një vajze gjate nje feste me emrin “La Guerre”. Situata më pas u përshkallëzua dhe kaloi në përleshje fizike. Sipas një prej versioneve të dhëna nga miqtë e viktimës, i riu portugez kishte ndërhyrë për të ndarë personat që po konfliktoheshin, përpara se edhe ai të përfshihej në përplasjen që rezultoi fatale.
Megjithatë, motivi i saktë mbetet pjesë e hetimit dhe versionet e para duhet të trajtohen si të dhëna paraprake, jo si rezultate përfundimtare.
Hetimet kanë zgjeruar ndjeshëm numrin e personave të dyshuar si të përfshirë në konflikt.
Sipas të dhënave të publikuara pas veprimeve hetimore, disa punonjës të lokalit dyshohet se kanë goditur turistin me grushte. Mes tyre përmenden Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani.
Në vijim të konfliktit dyshohet se ka ndërhyrë edhe Sokrat Vata, 29 vjeç, nga Hasi, i cili punonte në sigurinë e kompleksit. Ai është personi që Policia konsideron autorin kryesor të dyshuar të vrasjes.
Sipas rindërtimit të deritanishëm, konflikti nuk përfundoi brenda lokalit. Përplasja u zhvendos drejt zonës së plazhit dhe hetuesit dyshojnë se pikërisht aty Vata e ka goditur disa herë të riun portugez me thikë.
Një tjetër person, David Heurtevent, është identifikuar nga Policia si një prej personave që dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në dhunën ndaj viktimës. Sipas të dhënave të hetimit të publikuara deri tani, ai dyshohet se e ka goditur të riun me grushte në kohën kur Vata e ka sulmuar me thikë.
Në orët e para të mëngjesit, viktima u gjet pa shenja jete në zonën e shezlongëve. Informacioni fillestar i Policisë fliste për një konflikt për motive të dobëta dhe për përdorimin e një mjeti prerës.
Hetimet u përqendruan jo vetëm te identifikimi i personit që kishte përdorur thikën, por edhe te rindërtimi i gjithë konfliktit, personat që kishin marrë pjesë në të dhe mënyra se si autori i dyshuar kishte mundur të largohej. Pas krimit, Vata u largua nga Ksamili.
Policia nisi gjurmimin e tij dhe vetëm pak orë më vonë arriti të lokalizonte automjetin me të cilin ai po udhëtonte drejt veriut.
29-vjeçari ishte fshehur në bagazhin e nje makine. Makina drejtohej nga një vajze 31-vjeçare me shtetësi turke, ndërsa në të ndodhej edhe një shtetas turk 38 vjeç. Automjeti u ndalua në zonën e Levanit, në Fier, dhe Vata u arrestua rreth pesë orë pas krimit.
Dy shtetasit turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, u morën në pyetje për të sqaruar përse po transportonin Vatën dhe nëse ishin në dijeni të vrasjes.
Dëshmia e tyre zbuloi një tjetër element të marrëdhënies së 29-vjeçarit me klientët e “Principotes”. Ata deklaruan se ishin klientë të rregullt të kompleksit dhe se me kalimin e kohës kishin krijuar marrëdhënie shoqërore me Vatën. Sipas dëshmisë së raportuar, ata e paguanin atë për shërbime sigurie, duke e përdorur si truprojë dhe shoqërues personal.
Dy shtetasit turq kanë pretenduar se nuk dinin se çfarë kishte ndodhur në Ksamil dhe se e kishin marrë Vatën me vete për shkak të miqësisë që kishin krijuar me të, jo me qëllimin për ta ndihmuar t’i shpëtonte Policisë.
Vetë Sokrat Vata, sipas raportimeve të para pas arrestimit, ka zgjedhur të mos japë shpjegime për ngjarjen gjatë marrjes në pyetje.
Kush është Sokrat Vata
29-vjeçari rezulton të ketë precedentë penalë jashtë Shqipërisë. Mediat raportuan pas identifikimit të tij se Vata kishte qenë më parë i dënuar në Britaninë e Madhe për një çështje që lidhej me trafikun e drogës.
Në Ksamil ai punonte në sektorin e sigurisë dhe ishte i lidhur me kompleksin ku nisi konflikti. Hetimi zgjerohet përtej autorit të dyshuar
Arrestimi i Vatës nuk e mbylli operacionin. Përkundrazi, gjatë orëve që pasuan krimin, hetuesit nisën të analizojnë veprimet e të gjithë personave që kishin qenë të pranishëm.
Policia shoqëroi dhjetëra persona për t’i marrë në pyetje. Sipas të dhënave të publikuara nga Policia dhe të raportuara më pas në media, në kuadër të dokumentimit të ngjarjes u shoqëruan gjithsej 41 persona.
Hetimi solli arrestime për role të ndryshme të dyshuara: nga pjesëmarrja në dhunën ndaj viktimës deri te moskallëzimi i krimit dhe ndihma e dyshuar ndaj autorit pas vrasjes.
Në një prej njoftimeve të para të zgjeruara për çështjen u raportuan 11 persona të arrestuar, përfshirë Vatën, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Një nga zhvillimet që i dha një tjetër dimension hetimit ishte zbulimi se mes personave të proceduar ndodheshin edhe punonjës të institucioneve shtetërore, të cilët raportohet se kryenin edhe detyra sigurie.
Mes tyre janë përmendur Moisid Matushaj, punonjës i Policisë së Shtetit në strukturat e Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër; Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake të Gjirokastrës; dhe Luciano Seferi, punonjës i Burgut të Fierit.
Sipas raportimeve mbi hetimin, dyshohet se ata kanë qenë të pranishëm në cilësinë e personave të sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Autoritetet po hetojnë gjithashtu veprimet e tyre pas krimit dhe faktin nëse është njoftuar apo jo në kohë Policia.
Akuzat e raportuara ndaj personave të kësaj kategorie lidhen me vepra si përkrahja e autorit të krimit, moskallëzimi i krimit dhe mosmarrja e masave për ndërprerjen e një gjendjeje të paligjshme. Hetimet kanë prekur edhe drejtimin e kompleksit ku nisi konflikti.
Bekim Bulica, i përshkruar në raportimet mediatike si personi që qëndron pas aktivitetit të “Principotes”, u shpall në kërkim. Sipas të dhënave të publikuara, ai dyshohet se ka qenë i pranishëm në lokal në momentin kur ndodhi ngjarja dhe është larguar pa njoftuar autoritetet.
Policia ka marrë dëshmi edhe nga turistë që ndodheshin në zonë.
Disa prej tyre kanë deklaruar se nuk e kishin parë momentin e konfliktit, ndërsa të tjerë kanë përshkruar situatën që kanë konstatuar mëngjesin pas ngjarjes. Hetuesit po përpiqen të ndërthurin dëshmitë e personave të pranishëm me provat materiale dhe elementet e tjera të mbledhura në vendngjarje.
