Dy dosjet e rrjedhura në publik të pagave të qytetarëve, ajo e janarit dhe e prillit të këtij viti tregojnë një diferencë të madhe të personave të punësuar në Shqipëri.

E para, pra ajo e janarit ka rreth 637 mijë të punësuar, emrat e të cilëve së bashku me nivelin e rrogës ndodhen të pasqyruar në formatin Exel. Dosja e dytë, ajo e muajit prill ka rreth 690 mijë mijë pagamarrës, bashkë me numrat e tyre të telefonit.

Pra bëhet fjalë për rreth 55 mijë të punësuar më shumë brenda tre muajve, që më shumë se sa vende të reja pune të hapura nga ekonomia, janë vende pune të hapura para zgjedhjeve të 25 prillit.

Kjo do të thotë se në prag të zgjedhjeve, administrata shtetërore hapi portat për rekrutime të reja, ku vendet e preferuara të rehabilitimit të militantëve partiakë, apo personave të tjerë në këmbim të votës ka qenë ujësjellësi.

Fenomeni ka kulmuar në prill, me 60 mijë të punësuar më shumë se janari, ku rritja më e madhe e vendeve të reja të punës janë pikërisht në shtet. Por, sipas të dhënave zyrtare trendi i tejfryrjes së administratës ka nisur disa muaj më parë.

Nga shifrat e tremujorit të fundit të 2020-s, punësimi në administratë ka rezultuar i vetmi sektor me rritje te treguesit gjatë pandemisë. Sipas të dhënave nga listëpagesat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në tremujorin e fundit të vitit 2020, numri i të punësuarve në administratën shtetërore arriti në 182 mijë e 500 veta mijë persona, duke u zgjeruar me rreth 10 mijë persona në raport me tremujorin e mëparshëm dhe me mbi 8 mijë persona më shumë në krahasim me fundin e 2019-s.

Shifrat janë më të lartat që nga viti 2005. Tërthorazi, fryrjen e administratës e pranoi edhe Kryeministri Edi Rama në fjalimet e mbajtura në prezantimin e përbërjes dhe programit të qeverisë së re. Këto qëndrime i përforcoi në dy takimet e mbajtura me kryetarët e bashkive, ku tha se sidomos administrata e ujësjellësave është tejet e fryrë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.