Gazeta SHQIP ka siguruar dosjen e SPAK për dy vrasjet e bujshme të 15 viteve më parë ku u ekzekutuan Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliu, krime për të cilat SPAK akuzon si të përfshirë Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe bandat e tyre.
Ka qenë dëshmia e të penduarit të drejtësisë që ka bërë të mundur zbardhjen e këtyrë krimeve, ku Luftar Reçi ka dhënë detaje sesi u porositen dhe organizuan vrasjet.
Po si ndodhi vrasja e Klodian Saliut, teksa udhëtonte me makinë në autostradën Durrës – Tiranë në 26 Shkurt 2005.
Sipas dëshmisë së Reçit, vrasja u porosit nga Lul Berisha. Reçi ka treguar takimin që ka bërë me Lul Berishën në kazinonë e tij në stacionin e Trenit në Tiranë, në të cilin ky i fundit i ka ofruar një marrëveshje sipas së cilës i penduari duhej të vriste shtetasin Klodian Saliu që në këmbim Berisha ti vriste hasmin. Por një detaj interesant është se pak para se vrasja të realizohej, Lul Berisha largohet në Turqi, për të fshirë gjurmët.
“Unë, Lenti dhe Indriti filluam që të bëjmë prova për mënyrën se si do të realizonim vrasjen e Klodian Saliut. Vrasja do realizohej gjatë kohës që Klodi do shkonte të takonte….në Tiranë. Një javë rresht kemi pritur që të kalojë dhe vendoseshim tek një karburant 1.5 km në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë. Luli sapo mori vesh që….do të na jepte informacion për vrasjen e Klodit, u sigurua që do të bëhej vrasja dhe iku në Turqi, me qëllim që të mos dyshohej”, thuhet në dëshminë e Reçit të zbardhur nga SHQIP.
Si ndodhi vrasja në autostradë
“Diku mes Vorës dhe Durrësit jemi vendosur paralel me makinën që drejtonte Klodi dhe nga dritarja e BMW kemi qëlluar me armë në drejtim të Klodit, Indriti me pistolete dhe Lenti me scorpions. Kemi ecur paralel 101 sekonda. Më pas automjeti që drejtonte Klodi është shmangur nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Pasi makina e Klodit përfundoi në kanal, Indriti bërtiste me të madhe “O Lal mbaje, mbaje”. Hapa krahu dhe Indriti i është afruar benzit të Klodit dhe e ka goditur Klodin tre herë me pistoletë me mulli. Indriti i ka thënë pasagjerit se nëse donte të shpëtonte të mbyllte gojën.”, thuhet në dëshminë e Reçit.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.