Media kiliane El Mostrador ka publikuar një artikull mbi lidhjet e mafias shqiptare me organizatat kriminale italo-amerikane, duke ndalur vëmendjen te një çështje e bujshme droge që po zhvillohet në SHBA.

Sipas artikullit, tre persona me origjinë shqiptare dyshohet se tentuan të korruptonin një anëtar të jurisë në procesin gjyqësor ndaj ish-boksierit malazez Goran Gogiç, i akuzuar si organizator i një rrjeti të madh ndërkombëtar trafiku kokaine.

Në shkrim përmenden Afrim Kupa, 53 vjeç, banues në Staten Island, Valmir Krasniqi, 35 vjeç dhe Mustafa Fteja, 54 vjeç. Dy prej tyre, sipas mediave amerikane, konsiderohen pjesë aktive e mafias shqiptare dhe kanë lidhje me familjen mafioze Gambino, një nga organizatat kriminale historike në Nju Jork.

Artikulli thekson gjithashtu se avokati i Gogiç është Joseph Corozzo Jr., nipi i një prej figurave të njohura të klanit Gambino.

Autoritetet amerikane e konsiderojnë Gogiç si një nga figurat kyçe të trafikut të drogës në Amerikën Latine. Ai akuzohet për organizimin e dërgesave të mëdha të kokainës, ndërsa u arrestua në tetor të vitit 2022 nga agjentë federalë amerikanë.

Sipas hetuesve, gjatë arrestimit u konstatua se ish-boksieri fliste rrjedhshëm jo vetëm anglisht, por edhe spanjisht, çka dyshohet se e kishte ndihmuar në aktivitetin e tij në Amerikën Latine dhe komunikimin me rrjetet kriminale në rajon.

Artikulli i El Mostrador

Një nga çështjet më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës në SHBA ka rikthyer në vëmendje lidhjet mes mafies shqiptare dhe asaj italo-amerikane. Së fundmi, personi i tretë i akuzuar për tentativë korruptimi të një anëtari jurie në procesin ndaj ish-boksierit malazez Goran Gogiç, pranoi fajësinë para autoriteteve amerikane, duke kërkuar lehtësim të dënimit.

Rasti lidhet me sekuestrimin rekord të 18 tonëve kokainë në anijen MSC Gayane në vitin 2019, ngarkesë që konsiderohet si një nga kapjet më të mëdha të drogës në historinë e SHBA-së. Sipas hetimeve të DEA-s, droga ishte nisur nga Amerika Latine dhe ishte futur në anije në det të hapur përmes skafeve të shpejta.

Autoritetet amerikane e konsiderojnë Gogiç si organizatorin kryesor të rrjetit. Ai akuzohet jo vetëm për ngarkesën në MSC Gayane, por edhe për disa dërgesa të tjera të kokainës të sekuestruara në Nju Jork dhe Filadelfia.

Ish-boksieri u arrestua në aeroportin e Majemit në tetor të vitit 2022. Hetuesit zbuluan në telefonin e tij komunikime në aplikacionin Sky ECC, platformë e përdorur gjerësisht nga grupet kriminale ndërkombëtare. Mbrojtja e tij tentoi të rrëzonte provat duke pretenduar se materialet e siguruara nga hetimet europiane ishin marrë në mënyrë të paligjshme.

Avokati i Gogiç rezulton të jetë Joseph Corozzo Jr., pjesë e një familjeje me lidhje historike me organizatën mafioze Gambino, një nga pesë familjet më të njohura kriminale të Nju Jorkut.

Sipas prokurorëve, mafia italo-amerikane tentoi të ndikonte edhe në procesin gjyqësor. Tre persona me origjinë shqiptare dhe kosovare akuzohen se i ofruan 100 mijë dollarë një anëtari të jurisë në këmbim të votës për pafajësinë e Gogiç.

Të arrestuarit janë Afrim Kupa, Valmir Krasniqi dhe Mustafa Fteja. Hetuesit zbuluan se ata dispononin të dhëna sekrete mbi identitetin dhe adresën e juristit, si edhe fotografi të tij. Të tre kanë pranuar përgjegjësinë për pengim të drejtësisë dhe rrezikojnë deri në 20 vite burg.

Ndërkohë, procesi ndaj Gogiç vijon të mbetet i pezulluar, ndërsa autoritetet amerikane po forcojnë masat e sigurisë për mbrojtjen e jurisë.

Hetimet kanë nxjerrë në pah gjithashtu se portet kiliane vazhdojnë të përdoren si pikënisje për trafikun e kokainës drejt Europës dhe SHBA-së. Vetëm gjatë vitit 2024, sipas autoriteteve kiliane, në porte europiane janë sekuestruar mbi 4.5 ton kokainë të nisura nga zona e Antofagastës.

Familja mafioze Gambino, dikur ndër organizatat më të fuqishme kriminale në SHBA gjatë viteve ’70 dhe ’80, vazhdon të mbetet aktive në aktivitete të paligjshme, ndonëse sot operon me profil shumë më të ulët krahasuar me epokën e famshme të John Gotti-t.