Autoritetet në Peru kanë vënë në pranga një shtetas shqiptar, i dyshuar si figurë kyçe në organizimin dhe financimin e trafikut të kokainës drejt tregut europian. Bëhet fjalë për Maglent Dybelin, arrestimi i të cilit u realizua gjatë një operacioni të gjerë policor kundër një rrjeti të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se kishte rolin e financuesit kryesor të grupit dhe se operonte duke përdorur identitet të rremë me shtetësi italiane.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se grupet kriminale me origjinë nga Shqipëria kanë nisur të shtrijnë aktivitetin e tyre në Amerikën Latine që në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000, në një periudhë të shënuar nga ndryshimet politike pas rënies së komunizmit dhe konfliktet në Ballkan. Këto rrjete, sipas burimeve hetimore, kanë ndërtuar lidhje të forta me kultivues të kokës dhe trafikantë në Peru, me prodhues në Kolumbi, me struktura që ruajnë dhe transportojnë drogën drejt porteve të Ekuadorit, si edhe me kartele të fuqishme meksikane.

Artikulli i publikuar nga media peruane “La Republica” thekson se rrjetet kriminale nga Ballkani konsiderohen sot ndër aktorët kryesorë në furnizimin e Europës me kokainë. Kjo u konfirmua edhe nga Zyra e Specializuar e Prokurorisë për Krimet e Trafikut të Drogës në Callao, e cila siguroi vendosjen në paraburgim për 18 muaj të disa personave të dyshuar si pjesë e një bande që grumbullonte dhe përgatiste kokainë për eksport.

Sipas hetimeve, shtetasit Rómulo Mengoni, Juan Vásquez, Shirley Ibáñez dhe Efraen Mendoza dyshohet se vepronin në kuadër të një organizate të drejtuar nga Dybeli. Në një operacion të zhvilluar në një banesë në Callao, policia antidrogë arrestoi dy prej tyre dhe sekuestroi 98 pako në formë tullash që përmbanin klorhidrat kokaine, e cila ishte transportuar nga zona e Comas.

Në një tjetër aksion u ndaluan gjithashtu Ibáñez dhe Mendoza, të cilët dyshohet se kishin rol në organizimin e transportit të drogës. Ky i fundit, sipas prokurorisë, kishte kaluar rreth tre muaj në Kolumbi për të koordinuar procesin dhe për të garantuar dërgimin e ngarkesës nga një port kryesor.

Prokurori ndihmës provincial, Pako Grajeda, deklaroi se janë mbledhur prova të mjaftueshme që lidhin të dyshuarit me aktivitetin kriminal, çka bëri të mundur vendosjen e masës së paraburgimit ndërkohë që hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë, si vendas ashtu edhe shtetas të huaj.

Sipas Drejtorisë Kundër Drogës (Dirandro), prania e grupeve kriminale shqiptare në rajon është dokumentuar prej dekadash dhe lidhet me zhvillimet politike e sociale në Ballkan. Sot, këto struktura konsiderohen pjesë e zinxhirit ndërkombëtar të trafikut të kokainës që lidh prodhimin në Amerikën Latine me tregjet fitimprurëse në Europë.