“Eja mos më lër me babin”! Këto fjalë do të mbahen mend gjatë nga thuajse të gjithë, sepse janë fjalët e 6 vjeçares nga Kamza e cila u dhunua, nga babai i saj. Madje edhe më keq u abuzua seksualisht. Por mbi të gjitha kjo është një ngjarje, që na turpëron të gjithëve, si shoqëri, shtet apo edhe komb.

Në fakt, ngjarja është e përmasave tragjike. Burime për gazetën SHQIP thanë se babai e ka rrahur me thupër të miturën dhe e ka kafshuar në zona të ndryshme të trupit. Fëmija më datën 28 tetor, ora 19 00 e mbrëmjes, ka përfunduar në spitalin e Traumës. Por, mjekët, për shkak të gjendjes së saj tejet të rëndë kanë vënë në lëvizje policinë, të cilën e kanë njoftuar për traumat që kishte në trup e vogla.

Zilja e telefonit dhe fjalët drejtuar asaj për të mos e lënë vetëm me babin janë refreni i ditëve të fundit, që mediat kanë shkruar për atë tragjedi të madhe, që për fat të keq nuk është as e pari dhe po fatkeqësisht nuk do të jetë as e fundit. E sikur të mos mjaftonte çfarë ndodhi në Kamëz, një tjetër ngjarje po e njëjtë ndodhi në Lushnje. Por, këto rreshta janë për të miturën, nëna e së cilës ka pranuar se bashkëshorti e ka goditur me thupër e kafshuar, por sipas dëshmisë së vetë zonjës, mendonte se këtë e bënte ngaqë kishte mall për vajzën, duke iu referuar këtu faktin se çifti kishin qëndruar prej vitesh të ndarë.

E kur të gjithë presin që Drejtësia të veprojë me dorë të hekurt në këto raste, thuajse zëri i të gjithëve u dëgjua. Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg babain 27 vjeçar me inicialet R.K, i cili akuzohet se ka dhunuar dhe abuzuar seksualisht me vajzën e tij të mitur. E ëma e vajzës dhe gjyshërit e vajzës 6 vjeçare mbetën nëpër televizione duke u sqaruar dhe duke hequr nga supet mëkatet e tyre.

Edhe ata duhet të përgjigjen për këtë skandal dhe makabritet, i cili ka lënduar zemrat e shumë nënave shqiptare, duke dëgjuar këto ngjarje të turpshme, e mbi të gjitha të tmerrshme.

E ëma mendonte e kafshonte vajzën se e kishte marrë malli, por cili është ai prind që kafshon fëmijën e tij?! Ai ishte kafshimi i një “qeni”, i cili sot ndodhet atje ku e ka vendin dhe duhet të qëndrojë për shumë vite, si shpagim për çfarë bërë me të miturën, që ishte edhe vajza e tij.

Por për fat të keq, siç ndodh në Shqipërinë tonë me sipërfaqe pak më shumë se 28 mijë kilometra katrorë, “çudia më e madhe tre ditë zgjat” dhe ashtu po ndodh pasi askush nuk po reagon.

Këtu po i jepet më shumë rëndësi se çfarë do ndodhë me fatin e Berishës dhe Bashës, me kuvendet e tyre, me dilemat politike, se sa çfarë do ndodhë me atë vajzë 6 vjeçare, e cila vuan sot, pasi babai e ka dhunuar.

Mediat kanë shkuar dhe e kanë parë vajzën. Tezja thotë se vajza i kishte rrëfyer disi dhunën, më mizorja sipas saj ishte përplasja pas murit, apo goditja me thupër. Kjo i shkaktoi dëmtimin e organeve të brendshme.  Por falë ndërhyrjes në kohë të mjekëve, sot vajza jeton, por traumat që do të pasojnë, nuk do të jenë të lehta për të!

Na dridhen duart kur shkruajmë për këto ngjarje të tilla. Dhe për fat nuk kanë qenë as një, as dy, as sa gishtat e një dore, por pafund…! Dhe së fundi, një apel. Të gjitha institucionet, duhet të marrin masa para se të jetë vonë dhe të kemi viktimën e radhës!/Gazeta SHQIP