Në panelin e organizuar nga Chatham House me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, Kryeministri Edi Rama u përgjigj edhe një pyetje nga një i ri shqiptar, duke adresuar sfidat dhe mundësitë që lidhen me emigracionin dhe rolin e diasporës për Shqipërinë.
Duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë që ndjekin arsimin në Britani, Rama theksoi se fakti që ata zgjedhin të ndjekin rrugën e tyre jashtë vendit nuk është humbje për Shqipërinë, por përfitim. “Nuk e shoh këtë si humbje për vendin tonë, por si përfitim,” u shpreh Rama. Ai shtoi se në kohën moderne, nuk jetojmë më në një botë me kufij të ndarë dhe qëndrime të thjeshta, por në një realitet me lidhje dhe lëvizje të shumta midis vendeve.
Kryeministri vuri në dukje se brenda vetë Britanisë ekzistojnë qytete të vogla që janë boshatisur nga të rinjtë, të cilët kërkojnë mundësi më të mira në metropolet si Londra. “Nuk ka një çelës magjik për ta kthyer situatën mbrapsht, as një shkop magjik për ta bërë Shqipërinë vendin ideal si Londra apo Parisi. Është një proces,” tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të mundësive dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në Shqipëri.
Ai gjithashtu theksoi se përkundër largimeve, janë edhe më shumë njerëz që po kthehen në Shqipëri në krahasim me pesë vite më parë, por sfida mbetet që të përmirësohet niveli i pagave dhe mundësitë për të rinjtë në vend.
Rama përmendi edhe komunitetin shqiptar në Britani, duke thënë: “Komuniteti ynë i shqiptarëve këtu po i jep shumë Britanisë, saqë politikanët britanikë që etiketojnë shqiptarët ta mbyllin gojën, ta mbyllin atë dreq goje dhe mos i përmendin për asgjë veçse pozitive, kushdo që i prek duhet ta mbyllë atë dreq goje, përveç meje që duhet të them diçka, por s’po i prek”.
Ai theksoi se “varkat e vogla kanë sjellë shumë njerëz me ëndrra dhe ambicie, dhe që i bëjnë nder shoqërisë britanike”.