Plot 40 studentë nga Tirana dhe Prishtina janë ndaluar ditën e hënë në Maqedoninë e Veriut, teksa ishin nisur në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup.
Aida Turku, një nga studentet që ndodhej në autobusin me të cilin të rinjtë udhëtonin, ka rrëfyer në “Breaking”, me Xhoi Malësia të gjithë peripecitë e asaj dite dhe taktikat e përdorura nga pala maqedonase për të mos i lejuar t’i bashkoheshin protestës në Shkup.
“Në momentin që jemi gjendur pranë pikës kufitare të Bllatës në doganën maqedonase, kemi kaluar si normalisht sistemin TIMS prej jo më shumë se 20 minutash për të gjithë studentët, që ishim rreth 40 persona. Që në këtë moment situata u bë pak e dyshimtë sepse nuk u vonuam dhe menduam që diçka do të pasonte. Na kthyen mjetet identifikuese dhe autobusi u nis drejt Shkupit. Por autobusi nuk ka ecur më shumë se 20 km dhe ne jemi kthyer sërish mbrapsht sepse na ka ndaluar polica. Na thanë ‘Presim informacion të dytë nëse duhet të kaloni apo jo’. Në këtë moment ne kemi zbritur të gjithë nga autobusi dhe kemi kërkuar informacion se përse po ndaloheshim. Nuk an dhanë asnjë informacion tjetër, përveç fjalisë: ‘Po presim njoftim nga lart’. Kemi qëndruar në kufirin e Bllatës me qëllim që ne të vonoheshim dhe mos arrinim në kohë për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup. Më pas jemi lejuar të kalonim rrugën, teksa pas 5 minutash po na ndiqte një patrullë policie. Kemi ndaluar dhe kemi diskutuar përsëri me autoritetet maqedonase. Ata na thanë ‘Mos u shqetësoni, jemi për sigurinë tuaj që t’ju çojmë të sigurt deri në Shkup’. Këtë patrullë policie e kemi ndërruar në hyrje të Gostivarit. Nga atu deri në hyrje të Shkupit predispozohej të na shoqëronte një tjetër patrullë.
Pak metra përpara hyrjes në Shkup, jemi ndaluar nga një makinë civilash. Ishin policë të veshur me të zeza, një veshje më shumë civile se sa policore. Ka qenë një ngacmim i vazhdueshëm dhe tentativa të vazhdueshme që ne të mos kapnim orarin e protestës. Në atë moment, jemi ndaluar rreptësisht që të hynim në Shkup. Na kanë bllokuar me dy makina policie. Na kanë kërkuar dokumentacionin e autobusit dhe të shoferit. Këto dokumente janë marrë dhe nuk janë kthyer për disa orë. Më pas na thanë duhet të bëjmë një skanim autobusit në një pikë më të afërt. Ne pranuam, nuk bëmë rezistencë sepse tek e fundit, ishin forcat policore të një shteti. Deri diku është edhe e drejta e tyre të kontrollojnë, por në fakt ndalesa ishte e qëllimshme.
Teksa ndiqnim makinën e policisë nga pas, vumë re se nuk po ndalonin dhe ne vijuam t’i ndjekim. Kuptuam që ishim në rrugën në drejtim të hyrjes së Prishtinës. E kaluam dhe këtë pikë dhe kuptuam që po na çonin në kufi drejt Serbisë. Aty kemi bërë shenjë me drita, kemi ndaluar dhe kemi kërkuar shpjegime. Në këtë moment ka nisur dhe përplasja. Është ajo video që është bërë virale. Atë video e kam filmuar unë dhe mbaj përgjegjësi për publikimin e saj. Një student që kishte zbritur, e kanë ndaluar dhe kanë kaluar deri në konfrontim fizik. Ka patur deri në tërheqje zvarrë le të themi. Polici shtyn studentin me dorë në kraharor dhe i thotë hyni në autobus dhe zbatoni kërkesat tona. Edhe të ishim kriminelë, nuk do kishte kontrolle kaq të rrepta. Për të përfunduar, pak para se arrinim në kufirin me Serbisë, na kanë kthyer dhe na lejuan të shkonim në Shkup. E kuptuan që ne nuk mund ta kapnim më protestën sepse ora kishte shkuar diku tek 17:00.”- tregoi ajo.
