Sali Berisha ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të respektojë të ashtuquajturin “neni Basha” dhe nuk do të hapë garë të re për kreun e Partisë Demokratike.

Asnjë nga drejtuesit aktualë nuk e ka në plan të japë dorëheqjen, dhe pritet të qëndrojnë në pozicionet e tyre deri në përfundim të mandatit, siç e parashikon statuti i PD-së.

Megjithatë, përbërja e re e grupit parlamentar do të sjellë automatikisht ndryshime në kryesinë e partisë, duke qenë se shumë prej anëtarëve aktualë janë në këtë organ për shkak të funksioneve parlamentare që mbajnë.

Nga 33 anëtarë të kryesisë, 14 janë anëtarë ex officio, përfshirë dhe figurat e grupit Bardhi, të cilët u integruan mbi një vit më parë pas marrjes së funksioneve në komisionet e Kuvendit.

Me riformatimin e komisioneve parlamentare dhe ndryshimin e përfaqësuesve të PD-së në këto pozicione, disa prej këtyre anëtarëve do të humbasin automatikisht vendin në kryesi.

Për shembull, Zheni Gjergji, e futur në kryesi në mars 2024 si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, tashmë që nuk është më deputete dhe nuk mban atë funksion, duhet të lëshojë vendin për pasuesin në krye të atij komisioni.

E njëjta logjikë vlen edhe për Dhurata Çupin, e cila ishte nënkryetare në Komisionin e Ligjeve. Kryesia e saj në PD ishte rezultat i kësaj pozite, e cila tashmë i takon një pasuesi të ri.

Ferdinand Xhaferri, që u përfshi në kryesi si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, gjithashtu nuk do të mund ta mbajë vendin pas largimit nga Kuvendi.

Në të njëjtën situatë është dhe Helidon Bushati, që erdhi në kryesi si deputet, por nuk është rizgjedhur. Kjo e vendos në pikëpyetje qëndrimin e tij si anëtar ex officio.

Për disa të tjerë, si Jorida Tabaku, që mori një mandat të fortë me mbi 20 mijë vota në Tiranë, mbetet të shihet nëse do të rikonfirmohet në krye të Komisionit të Integrimit — një post që e mban aktualisht. Nëse jo, edhe ajo mund të largohet nga kryesia.

Situata është e pasigurt edhe për emra të tjerë si Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i Kuvendit, dhe Gazment Bardhi, kreu aktual i grupit parlamentar, për të cilin Berisha ende nuk ka dhënë një vendim për të ardhmen e tij në atë rol.

Shtatori pritet të jetë muaji vendimtar që do të përcaktojë përbërjen e re të kryesisë së PD-së, bazuar në pozicionet e reja që do të mbajnë deputetët në Kuvend.