Nëse për të gjithë emrat e deritanishëm ka pasur pak a shumë dyshime për formularin e OFL lidhur me pasurinë, gazetarët e kronikës kanë qenë më të bindur se kurrë se në në listë do të ishte edhe Alket Hatia, një emër që ka bërë lëmsh drejtësinë jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej Adriatikut.


Por kush është Alket Hatia, djali nga Durrësi që e ka të shënuar emrin në “lista të zeza” nga Italia në Shqipëri, por edhe në vende të tjera ku punojnë “çunat e drogës” për llogari të tij.


Në nëntor të vitit 2019, Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë në rishqyrtim dosjen kundër Alket Hatisë, që njihet dhe si “Zoti i drogës”. Me një trupë provizore të caktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor u vendos prishja e vendimin të Gjykatës së Apelit në Durrës, duke e rikthyer sërish për rishqyrtim.


Me argumentin se kjo dosje ka mangësi dhe “gjykimi dhe vendimi ishte me mangësi të theksuara” u mor një vendim i tillë i votuar unanimisht nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë. Por, pavarësisht nga vendimi, Alket Hatia është i lirë prej korrikut të vitit 2017.


Alket Hatiaj u arrestua në një operacion në Berat, teksa fshihej në një vilë-bunker dhe ruhej me roje. Gjykata e Durrësit e liroi më 11 korrik 2017. Prokuroria iu drejtua Gjykatës së Apelit Durrës duke kërkuar riarrestimin e të akuzuarit në pritje të ekstradimit të tij në Itali, për të vuajtur dënimin me 20 vite burg, të marrë për trafikim droge dhe pjesëmarrje në bandë kriminale.


Akuza argumentoi se vendimi i Shkallës së Parë, që vendosi lirimin e menjëhershëm të 45-vjeçarit, është i padrejtë dhe në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë këtë aspekt ndërmjet shteteve në procesin penal.


Në këto kushte, Gjykata e Apelit vendosi si masë sigurie atë të “arrestit në burg” për “Baronin e drogës”, i cili akuzohet nga autoritetet italiane për trafikimin e 350 kilogramëve heroinë. Sipas autoriteteve italiane, Alket Hatija është një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.


Mësohet se për herë të parë Hatija mbërriti në Itali në vitin 1997. Ai jetonte në komunën Campomarino, në provincën e Campobassos, në një banesë në rrugën “Kennedy”, ku kishte punuar për pak kohë në bujqësi. Policia italiane ka vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004-s, Alket Hatija kishte trafikuar në 59 raste në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.