Kënga “Written in the Stars” e Tinie Tempah është fiks ajo që do t`i shkonte për shtat spektaklit të mbrëmshëm të Finales së Big Brother Vip Albania 5, si një himn i ambicjes së përsosmërisë së realizimit nga Top Channel, suksesit dhe besimit në punën e palodhur.

Për të dëshmuar edhe njëherë se suksesi nuk është rastësi, u përmbyll dje më së miri një natë e gjatë magjike plot surpriza, ngjyra, lot që na bënë të zgjohemi sot me shijen e një ëndrre të bukur.

Si asnjëherë më parë, gjithçka nisi dhe përfundoi me vallëzimin perfekt të 500 dronëve duke vizatuar dritë në qiellin e Tiranës si yje të komanduar e duke shpallur me elegancë emrin e fituesit të spektaklit që na mbajti mbërthyer për 4 muaj.

Një performancë elektrizuese e ish-banorëve këngëtarë të këtij edicioni në nisje, na bëri të ngjeshemi mirë pas divanit duke na paralajmëruar se nata e finales së madhe nuk do të ishte aspak si të tjerat. Ishte vetëm fillimi i një nate të gjatë plot surpriza.

I pari nga banorët, të cilit i takoi të emocionohej, ishte Mateo. I ati e priti krahëhapur në studion e dytë të Big Brother VIP, duke i shprehur krenarinë për rrugëtimin e tij në këtë reality show. Ishte ëndrra e tij që Mateo të bëhej pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri dhe që u përmbyll sic duhej për familjen Borri. I ati i Mateos, takoi edhe Brikenën, duke i thënë se priste nuse në Elbasan.

Vëllai i Madh i dha mundësinë Selin, t`i rikthehej edhe njëherë profesionit të saj, baletit, me një performancë prekëse e të shkëlqyer në një skenë të improvizuar. Por nuk mjaftoi me kaq. Në hologram, u shfaq babai i Selin, jo pak i komentuar brenda shtëpisë, i cili bëri fituesen 23-vjeçare të dridhej në lot. I ati i shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të bijës, e cila e gjunjëzuar, dëgjonte fjalët frymëzënëse të tij.

Për Rogertin, u mblodhën disa nga ish-banorët me të cilën krijoi një raport më të ngushtë në shtëpi Juela, Keijsi, Marko, me në qendër rreperin Don Phenom.

Opinionisti Arbër Hajdari u surprizua nga vajza e tij Rajna, me të cilën kaloi disa momente në Living, një moment ky të cilin do ta mbajë mend gjatë.

Një surprizë e papritur ndodhi edhe për moderatorin Ledion Liço. “Jam krenare për ty dhe për njeriun që je sot. Ke kaluar sfida, ke treguar forcë e durim, që më kanë habitur e prekur thellë. Suksesi yt nuk matet me suksesin e arritur, por me mënyrën si sillesh, si respekton të tjerët dhe si nuk heq dorë kur gjërat bëhen të vështira. Faleminderit që je djali që je, të dua bir,” ishin fjalët e nënës që përlotën drejtuesin e programit. Po ashtu, disa rreshta të shkruar nga fëmijët e tij plot emocion, ngritën sallën peshë.

Në fund nuk mungoi as një takim i këngëtarit të West Side Family, Mirit, me të gjithë familjen dhe rrethin e tij të ngushtë në një sofër tironce, pasi kaloi nëpër një lagje të vjetër të improvizuar të kryeqytetit.

Zgjedhja e Selin fituese e edicionit të 5 të BBVip përmbylli kështu një program maratonë që do të mbahet mend për emocionet që na ka dhuruar javë pas jave.