Edhe pse nëntori shënjon hyrjen e festave të dimrit, me 28-29 që janë dy ditë kombëtare dhe jemi në vigjilje të muajit që sjell vitin e ri, për bandat e krimit nuk ka festë në kalendar.

Këtë muaj vendi ynë është tronditur, nga jo pak, por 4 atentate mafioze, ku më i fundit i vuri kapakun mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit, me ekzekutimin e një biznesmeni. Nëntori nisi dhe përfundoi me derdhje gjaku.

1 NëntorDALAN ALLIAJ

Viktima, 36-vjeçari Dalan Alliaj, u ekzekutua me 6 plumba para derës së banesës së kushëririt të tij, një krim që ka shokuar banorët e zonës.

Sipas informacioneve zyrtare, trupi i pajetë i Alliajt u gjet nga familjarët, të cilët e transportuan menjëherë drejt spitalit të Vlorës, por ai nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda. Ndërkohë, autori i dyshuar i vrasjes, Bertil Alliaj, 32 vjeç, u arratis menjëherë pas krimit duke u fshehur në zonën malore të Gjormit. Policia nisi një operacion të gjerë kërkimi me patrulla dhe dronë, duke arritur ta arrestojë atë vetëm pas pesë orësh ndjekjeje intensive.

Gjatë arrestimit, Bertil Alliaj u gjet i armatosur me një pistoletë “Beretta FS92”, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan gjashtë gëzhoja dhe një predhë, prova që konfirmuan intensitetin e të shtënave dhe mënyrën e kryerjes së krimit.

Autoritetet kanë zbuluar se Bertil Alliaj ishte dënuar më herët në mungesë me 35 vite burg për masakrën e Çoles, një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të dekadës së fundit. Megjithatë, ai kishte qëndruar në arrati dhe lëvizte lirshëm, duke qëndruar përkohësisht edhe në zonën ku ndodhi ekzekutimi.

Në dëshminë e tij paraprake, Alliaj ka pohuar se “e ka vrarë për një arsye të fortë”, pa treguar detaje të mëtejshme. Hetuesit po punojnë për të sqaruar motivin e ngjarjes, që mbetet ende i paqartë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të mëparshëm mes tyre.

Ndërkohë, mediat raportojnë se viktima, Dalan Alliaj, ishte banues në Fier dhe kishte aktivitet biznesi në fushën e produkteve ushqimore, bujqësisë dhe tregtisë, duke qenë administrator i një kompanie me disa veprimtari.

11 Nëntor- GILMANDO DANI dhe MUCI SHALJANI

Një atentat mafioz tronditi vendin: Gilmando Dani, emër i njohur për lidhjet e tij me botën e krimit, u vra mesditën e 11 nëntorit 2025 pranë aeroportit të Rinasit.

Dani po udhëtonte si pasagjer në një “Mercedes Benz S Class” të bardhë, së bashku me një person tjetër — agjentin e AMP-së, Muçi Shaljani, i cili u plagos rëndë gjatë sulmit.

Sipas pamjeve të siguruara dhe analizës së hetuesve, tre persona të armatosur, të maskuar, i vënë pritë makinës dhe hapën zjarr me breshëri kallashnikovi.

Pas të shtënave fillestare, njëri nga sulmuesit u afrua drejt sediljes së pasagjerit dhe qëlloi sërish, për t’u siguruar që viktima ishte neutralizuar. Mjeti i autorëve u largua menjëherë dhe më pas u gjet i djegur në fshatin Halil, Fushë-Krujë.

Policia njoftoi se atentati ndodhi rreth orës 14:20. Gilmando Dani humbi jetën në vend. Muçi Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Sipas informacionit më të fundit, Dani mori të paktën 20 plumba, ndërsa në vendngjarje u gjetën mbi 80 gëzhoja.

Gilmando Dani, 47 vjeç në kohën e vrasjes, konsiderohej “krah i djathtë” i ndërmarrësit të krimit Emiljano Shullazi dhe ishte një nga figurat më të njohura në botën kriminale në Shqipëri.

Në të kaluarën, Dani ka pasur precedentë të shumtë penalë. Përfshihet në akte si armëmbajtje pa leje, kërcënime dhe shantazhe — dhe është shoqëruar disa herë nga policia, përfshirë në vitin 2006 dhe në vitin 2009.

Ai i mbijetoi dy atentateve më parë — në 2011 dhe 2015 — dhe u lirua nga burgu tetorin e vitit 2024, pas disa vitesh në qeli.

25 Nëntor- JULI I PASHAKOS

Mesditën e 25 nëntorit, në qytetin e Lushnjës u regjistruan të shtëna me armë zjarri, fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Persona ende të paidentifikuar hapën zjarr me breshëri kallashnikovi ndaj automjetit të 45-vjeçarit Julian Sula, i njohur ndryshe si “Juli i Pashakos”.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë dy autorë të maskuar dhe me kapele, të cilët dolën nga një mjet duke mbajtur kallashnikovë në duar dhe qëlluan disa herë në drejtim të automjetit tip “BMW” ku ndodhej Sula. Pas ekzekutimit të atentatit, të dy u larguan me shpejtësi drejt fshatit Lifat, ku braktisën automjetin me targa greke dhe më pas i vunë flakën për të zhdukur gjurmët.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. “Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes. Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e drogës, dhe bizneset. Të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe janë lënë të lirë. 

30 Nëntor- MONDI MEHALLA

Mbrëmjen e 30 nëntorit 2025, në Elbasan u regjistrua një vrasje me armë zjarri që tronditi opinionin publik — viktimë u bë biznesmeni 43-vjeçar Mondi Mëhalla (i njohur gjithashtu si Edmond Hyka), i cili u ekzekutua në mjetin e tij para karburantit të tij në dalje të qytetit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35, në lagjen “Emiri Metraxhiu”, pranë karburantit “Xhaxhi Oil” që Mëhalla e kishte në pronësi. Sipas hetimeve paraprake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, ai sapo kishte dalë nga zyra e karburantit dhe ishte futur në automjetin e tij tip “Range Rover” kur autorët iu afruan dhe hapën zjarr. Dy plumba e goditën në kokë, çka i shkaktoi vdekjen pothuajse menjëherë.

Në vendngjarje janë gjetur tre gëzhoja, ndërsa policia dyshon se kanë qenë të paktën dy autorë.

Sapo krimi u raportua, zona u rrethua nga forcat e rendit dhe u ngritën pika kontrolli në dalje të qytetit. Megjithatë, nuk dihet ende se si autorët arritën të largoheshin — ndonëse hetuesit kanë siguruar pamjet e automjetit të përdorur për ikje, një “Audi” ngjyrë e zezë.

Mëhalla ishte një emër i njohur në bizneset e Elbasanit — pronar i karburantit “Xhaxhi Oil” dhe i një rrjeti taksish të quajtur “El Taxi”.

Nga burime të policisë, rezulton se ai ishte proceduar më parë për shpërndarje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje — një vit më parë i ishte gjetur një shkop gome.

Autoritetet kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motivit. Deri tani, pjesa më e madhe e provave — pamjet e videot e sigurisë, gëzhojat në vendngjarje dhe dëshmitë paraprake — sugjerojnë një atentat të planifikuar.