Zgjedhjet e 11 Majit sollën ndryshime të thella në përfaqësimin politik, duke vendosur kandidatë në dy forma gare: me lista të hapura dhe të mbyllura.

Për ata që garuan në lista të mbyllura, rruga drejt Kuvendit ishte më pak e pasigurt, pasi nuk iu nënshtruan votës preferenciale. Por për kandidatët në lista të hapura, fushata dhe numërimi i votave u kthyen në një betejë të vërtetë, ku çdo votë kishte peshën për të ndryshuar fatin e një mandati.

Në këtë garë intensive, shumë figura me përvojë të gjatë parlamentare nuk arritën të siguronin një vend në legjislaturën e re. Disa prej tyre kanë qenë aktivë në jetën politike për më shumë se një dekadë, duke mbajtur poste ministrore dhe drejtues në institucione të rëndësishme. Megjithatë, nga muaji Shtator, emrat e tyre nuk do të dëgjohen më në foltoren e Kuvendit.

Lulzim Basha, ish-kreu i Partisë Demokratike, garoi këtë herë nën siglën e Koalicionit Euroatlantik, por rezultoi me vetëm 1,529 vota.

Ilir Meta, ndonëse nuk ishte deputet në legjislaturën që mbyllet, është padyshim një ndër figurat kryesore të politikës shqiptare. Ish-kryeministër, ish-president dhe ish-kryetar parlamenti, Meta nuk arriti të siguronte një mandat në Qarkun e Tiranës, duke mbledhur 7,981 vota. Nga burgu, ku ndodhet prej tetorit 2024, ai komentoi se nuk do të pranonte “asnjë zgjidhje pragmatiste që bie ndesh me kauzat madhore” për të cilat ka luftuar.

Pandeli Majko, një nga figurat më të spikatura të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, nuk arriti të zgjidhej sërish deputet. Me një karrierë që përfshin poste si ministër i Mbrojtjes dhe i Diasporës, Majko mori vetëm 6,736 vota.

Lista e emrave që nuk ia dolën është e gjatë dhe përfshin:

  • Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes – 4,351 vota
  • Xhemal Qefalia, ish-deputet dhe ish-ushtarak – 9,950 vota
  • Blerina Gjylameti, humbi përballë Olta Xhaçkës me vetëm 140 vota diferencë – 4,148 vota
  • Ermonela Felaj, ish-nënkryetare e Kuvendit – 4,550 vota
  • Etilda Gjonaj, ish-ministre e Drejtësisë – 5,569 vota
  • Klotilda Bushka – 3,088 vota
  • Arben Pëllumbi – 1,958 vota
  • Edona Bilali, e para në listë në Shkodër, por jashtë Kuvendit për shkak të sistemit – 9,924 vota
  • Toni Gogu – 6,680 vota
  • Etjen Xhafaj – 1,196 vota
  • Enslemvera Zake – 7,361 vota
  • Florenc Spaho – 3,095 vota
  • Ilir Ndraxhi – 8,241 vota
  • Plarent Ndreca – 4,938 vota
  • Edmond Spaho, ish-nënkryetar i Kuvendit – 2,995 vota
  • Andia Ulliri – 6,001 vota
  • Qani Xhafa – 6,444 vota
  • Kreshnik Çollaku – 1,468 vota
  • Lodovik Hasani – 1,914 vota

Disa prej kandidatëve kanë kërkuar nga KQZ-ja pamjet filmike të procesit të numërimit, për të verifikuar nëse rezultati përfundimtar përputhet me realitetin në kuti. Kjo tregon se ndonëse fushata ka përfunduar, betejat politike për një vend në Kuvend nuk janë mbyllur plotësisht.