Viti 2025 u shënua nga një sërë ngjarjesh të rënda kriminale që tronditën opinionin publik dhe vunë në diskutim sigurinë dhe rendin në vend. Nga atentate mafioze dhe vrasje për gjakmarrje, te krime banale që përfunduan fatalisht dhe ngjarje që goditën drejtpërdrejt sistemin e drejtësisë, Shqipëria përjetoi një nga vitet më të errëta në aspektin e kriminalitetit.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 1 janar – 30 nëntor 2025, në territorin e vendit janë regjistruar 39 vrasje, ndërsa 8 prej tyre mbeten ende pa autorë të identifikuar, kryesisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Më poshtë, një përmbledhje kronologjike e ngjarjeve kriminale më të bujshme të vitit që po lëmë pas.

Skedat e krimit – Ngjarjet më të rënda të vitit 2025

  • 6 janar 2025, Shkodër – Ramzan Mataj u gjet i vrarë brenda automjetit të tij në Dragoç. Për krimin u arrestuan Arjon dhe Klisman Hasaj.
  • 12 janar 2025, Tiranë – Biznesmeni Bujar Nasufi u ekzekutua në afërsi të zonës së njohur si “Pallati me Shigjeta”. Në pranga përfunduan vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani, të dyshuar si organizatorë dhe financues të vrasjes.
  • 13 janar 2025, Vlorë – U vra Kristian Marku, person me precedentë penalë, i lidhur me konfliktet e përgjakshme mes fiseve Reçi, Gjini dhe Bardhi në Rrëshen.
  • 24 janar 2025, Tiranë – Lulzim Visha u vra, ndërsa për krimin u arrestua Eduart Lami, 37 vjeç.
  • 27 shkurt 2025, Shkodër – Pavlin Preka u ekzekutua, ndërsa policia arrestoi Vasel Koçekun (43 vjeç) dhe Klaudio Lisajn (20 vjeç).
  • 17 prill 2025, Lezhë – Gjovalin Prendi u vra në një atentat që dyshohet për hakmarrje. Rasti mbetet ende pa autorë të arrestuar.
  • 1 qershor 2025, Lezhë – Pjetër Kaza u ekzekutua, në një krim që dyshohet se lidhet me një hasmëri të vjetër mes fiseve Gjini dhe Kaza, e nisur që në vitin 1994.
  • 4 qershor 2025, Durrës – Ermir Dedja (29 vjeç) u vra, ndërsa për ngjarjen u arrestuan Erion Ndoni dhe Klodian Berisha. Një person tjetër, Xhuljano Dyrmishi, u shpall në kërkim.
  • 4 gusht 2025, Vau i Dejës – Frrok Lleshaj u vra në një atentat që policia e lidh me gjakmarrjen. Hasmëria mes familjeve ka prodhuar pesë viktima që nga vitet ’90. Rasti mbetet i pazbardhur.
  • 14 gusht 2025 – 14-vjeçari Erald Xhejo u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, pas një konflikti për motive banale, duke tronditur opinionin publik.
  • 28 gusht 2025, Shkodër – Pirro Prroni (61 vjeç) u vra në Abat të Postribës. Autori Ndoc Maçaj u dorëzua në polici.
  • 4 shtator 2025, Shkodër – Kristian Kola (34 vjeç) u vra pas një sulmi me armë zjarri.
  • 8 shtator 2025, Shkodër – Armando Pali dhe Liridon Kraja (alias Lusha) u vranë në një lokal, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur. Autori Ragip Gila u arrestua.
  • 18 shtator 2025 – Mirel Çokaj u gjet i pajetë në një humnerë. Familjarët pretendojnë se ai është vrarë për shkak të parcelave të kanabisit. Prokuroria ka nisur hetimet.
  • 6 tetor 2025, Tiranë – Ngjarja më e rëndë e vitit: vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit. Ai u qëllua për vdekje gjatë një seance gjyqësore. Për krimin u arrestua Elvis Shkambi, ndërsa një familjar i tij u ndalua për përkrahje të autorit. Ngjarja tronditi rëndë sistemin e drejtësisë.
  • 22 tetor 2025, Manzë – Flori Paluçi dhe Aranit Kurti u vranë pas një sherri banal për një kafe, jashtë një lokali.
  • 28 tetor 2025 – Tre ngjarje të rënda u regjistruan brenda një dite:
    • Keli Hoxha (42 vjeç) u vra nga Kristo Mema pas një konflikti për një kalë.
    • Filip Shehu (41 vjeç) vrau kuzhinierin Indrit Ismaillari (34 vjeç).
    • Marjan Kodheli (25 vjeç) vrau babanë e tij, Pjetër Kodhelin, brenda banesës.
  • 11 nëntor 2025, Rinas – Në një atentat u vranë Gilmando Dani dhe punonjësi i AMP-së, Muçi Shaliani.
  • 26 nëntor 2025, Durrës – 15-vjeçari Erion Boba humbi jetën pas një sherri të nisur në rrjetin social TikTok. Një bashkëmoshatar u arrestua.
  • 30 nëntor 2025, Elbasan – Mondi Mëhall u vra brenda automjetit të tij, në ambientet e biznesit. Policia arrestoi disa persona të dyshuar për krimin.