Kryeministri Edi Rama, theksoi se kandidatura e Ogerta Manastirliut për kryetare të Bashkisë së Tiranës ka rezultuar si më e mbështetura në të gjitha sondazhet dhe anketimet e zhvilluara.
Duke folur në podcast-in e tij “Flasim”, Rama tha gjithashtu se Tirana është në prag të një momenti historik, pasi qyteti pritet të ketë për herë të parë një grua në krye.
Ogerta Manastirliu, ka ndarë historinë e saj personale në podcast-in “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, duke rrëfyer rrugëtimin nga fëmijëria e saj e thjeshtë në Tiranë deri te kandidimi për Bashkinë e kryeqytetit.
Nga fëmijëria tek kandidimi për Bashkinë e Tiranës
Gjatë bisedës, Manastirliu u shpreh se është “më e lehtë të flasësh për të tjerët sesa për veten”, ndërsa tregoi për familjen e saj dhe vlerat me të cilat është rritur.
“Kam lindur në Tiranë, në një familje të thjeshtë — mamaja ime ishte valltare në Teatrin e Operas dhe Baletit, ndërsa babai ushtarak. Në shtëpinë tonë mbizotëronte harmonia, një simbiozë e bukur që na bëri të rriteshim të shëndetshëm dhe me shumë dashuri përreth. Jam rritur mes dy gjysheve, dajave dhe hallave — një familje e madhe që më mësoi si të duash njerëzit dhe të japësh dashuri,” tregoi ajo.
Manastirliu kujtoi me nostalgji fëmijërinë e kaluar në korridoret e Teatrit të Operas dhe Baletit (TKOB), ku kalonte orë të tëra duke parë artistët që përgatiteshin për shfaqje.
“Në fëmijëri kam kaluar shumë kohë në TKOB, duke parë si punonin artistët. Midis valles dhe operës, gjithmonë zgjidhja operën. Kisha një model që më frymëzonte – Suzana Kurtin – dhe ëndërroja që një ditë të bëhesha artiste,” u shpreh ajo.
Ministrja shtoi se nëna e saj nuk e kishte shtyrë drejt artit, por i kishte mësuar se suksesi në çdo fushë kërkon përpjekje të madhe.
“Mami më thoshte gjithmonë se në art duhet të përpiqesh shumë. Më kujtohen balerinët, vokalistët që vraponin nëpër korridore, kostumet, zhurma, emocionet… më pëlqenin jashtëzakonisht shumë, sidomos kostumet tradicionale,” përfundoi Manastirliu.
Rikthimi në Shqipëri
Ish-ministrja Ogerta Manastirliu ka treguar se vendimin për t’u kthyer në Shqipëri pas studimeve në Itali e mori vetë, e shtyrë nga ndjenja e përgjegjësisë për vendin në një periudhë të vështirë tranzicioni. Sipas saj, Shqipëria në atë kohë ndodhej në kaos, por ajo ndiente se duhej të kishte një rol — sado i vogël — për të sjellë ndryshim.
Në podcast-in “Flasim”, Manastirliu foli me nostalgji për fëmijërinë dhe rininë e saj, duke kujtuar rrugëtimin mes shkollës, familjes dhe përvojës në Itali:
“Jeta ime përshkon një trekëndësh mes shtëpisë, shkollës dhe shtëpisë së gjyshes. Kam pasur një fëmijëri të bukur. Më pëlqente shkolla, isha nxënëse e mirë, por edhe aktiviste. Gjimnazi ishte një periudhë e mbushur me energji, edhe pse e jetuam në një kohë të vështirë – atë të tranzicionit. Shumë familje asokohe morën vendime të rëndësishme për ne. Në moshën 14-vjeçare shkova në Itali dhe studioja në një lice klasik, por lidhja me familjen dhe vendin mbeti shumë e fortë.”
Ajo tregoi se ndërsa dëgjonte për situatën e pasigurt në Shqipëri, ndjeu se kishte lënë një pjesë të vetes pas dhe se duhej të kthehej.
“Vendimin për t’u kthyer ma la im atë ta merrja vetë. E dija që këtu kishte shumë vështirësi, por gjithashtu shumë arsye për të qëndruar. U ktheva te gjimnazi ‘Sami Frashëri’, në një kohë tepër të trazuar. Viti 1997 ishte një traumë për shoqërinë dhe për brezin tonë, që na shenjuar përjetësisht. Atëherë nisa të ndjej se duhej të kisha një rol, sado modest, për të kontribuar. Besoj te ëndrrat dhe transformimet e mëdha, por edhe te puna e vogël që sjell ndryshime të mëdha,” tha ajo.
Me një ton të ndjerë, Manastirliu kujtoi realitetin e vështirë të asaj kohe dhe mirënjohjen ndaj mësuesve që e kanë formuar:
“Mbaj mend se shkonim në shkollë me qese plastike, kishte shumë pasiguri, por ajo për ne u kthye në forcë. Brezi ynë u rrit para kohe, por mbeti i gjallë, kreativ, inovator. Edhe pse ishte 1997, patëm mundësi të njihnim një realitet tjetër. Mësuesit tanë luajtën një rol të jashtëzakonshëm – ata na dhanë shpresë, besim se pavarësisht vështirësive mund të gjenim dritën. Dhe ajo shpresë ishte ushqimi më i madh që na dha shkolla.”
Marrëdhënia me bashkëshortin dhe dy vajzat
Ogerta Manastirliu: Me Ermalin jemi njohur dhe dashuruar që në gjimnaz. Që atëherë kemi ndërtuar së bashku jetën tonë. Sot kemi dy vajza.
Edi Rama: Po kur vendosët të martoheshit?
Ogerta Manastirliu: Në vitin 2005, pra plot 20 vjet më parë. Aty i thamë “po” njëri-tjetrit.
Edi Rama: Familjet e dinin për lidhjen tuaj që në fillim?
Ogerta Manastirliu: Po, sigurisht. Familja ime ka qenë gjithmonë e hapur dhe mirëkuptuese. Fillimisht nuk e sillja Ermalin në shtëpi, por më vonë, para martesës, po. Edhe unë shkoja te shtëpia e tij. Ishim të pranuar nga të dyja familjet.
Edi Rama: Kur u bëre nënë?
Ogerta Manastirliu: Po në të njëjtin vit që vendosëm të martoheshim. Nuk ishte e planifikuar, por erdhi Altea. Më pas, në vitin 2009, lindi Emili. Familja jonë është e vogël, por shpesh them që do të doja të ishte edhe pak më e madhe.
Edi Rama: Ka gjithmonë kohë për këtë, e di nga përvoja.
Ogerta Manastirliu: Po, gjithmonë them se çdo gjë ndodh në kohën e vet. Por është e vërtetë që vendime të tilla varen shumë nga gruaja. Për të pasur një familje më të madhe duhet të jesh e gatshme t’u përkushtohesh atyre që vijnë pas. Koha ime ka qenë shumë e kufizuar – si për veten, ashtu edhe për familjen – për shkak të angazhimeve të shumta. Megjithatë, familja është forca ime më e madhe. Ermali është kolona ku mbështetem, ai më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Edhe prindërit tanë na kanë lehtësuar, sidomos në raport me vajzat.
Edi Rama: E di mirë çfarë sakrifice është për një grua që ka burrin në një detyrë të madhe publike. Por si është e kundërta — kur burri ka gruan me një punë që të merr kaq shumë kohë e energji?
Ogerta Manastirliu: Ndoshta duhet ta pyesni një ditë ndonjë “bashkëvuajtës” për ta kuptuar vërtet (qesh). Por unë e di që nuk është e lehtë për të.
Edi Rama: Po, nuk do ta bëja kurrë këtë pyetje, se jam fajtori kryesor që gratë e politikës janë në këtë peshë (qesh).
Ogerta Manastirliu: Nuk mund të flas në emër të tij, por e di që sakrifica nuk është vetëm për kohën time të munguar në shtëpi. Ka shumë angazhime, edhe emocionale. Fatmirësisht, vajzat janë rritur — Altea është 20 vjeç dhe studion Arkitekturë në Politeknik, ndërsa Emili është 16 dhe ndjek gjimnazin. Janë bërë edhe kritike të mëdha ndaj nesh. Ndonjëherë më thonë: “Pse s’je me ne? Për çfarë po përkushtohesh kaq shumë?” Dhe kanë të drejtë.
Edi Rama: Pra, ju e diskutoni hapur këtë në familje?
Ogerta Manastirliu: Po, shpesh. Ne kemi shumë diskutime e debate, por gjithmonë përpiqemi të gjejmë arsyen e mirë përtej çdo vështirësie. Më besoni, unë nuk do të kisha mundur të përballoja gjithë këtë rrugëtim pa mirëkuptimin e tyre. Jam në borxh me familjen time – me Ermalin, me vajzat, me prindërit dhe miqtë. Kjo punë të bën pak të izoluar, por dashuria dhe mbështetja e tyre janë motivi që më mbajnë të fortë.
Si e priti asamblenë e fundit familja
Manastirliu tregoi gjithashtu edhe për bisedën me bashkëshortin, ndërsa kandidimin në Bashkinë e Tiranës e quan mision historik.
– Altea më tha: “Si ka mundësi që nuk të pyeti?”
Emili më tha: “Epo mirë, s’ke ç’të bësh – tani do ta marrësh përsipër edhe këtë.”
Ndërsa Ermali, për çudi, kësaj here nuk reagoi menjëherë. Nuk më dërgoi mesazh, as nuk më foli menjëherë. Më pas patëm një bisedë të gjatë, por nuk dua të hyj në detaje…
Edi Rama: Jo, s’ka nevojë për detaje, thjesht dua një përshtypje — si e ndjeve barrën e kësaj përgjegjësie?
Ogerta Manastirliu: Së pari, dua t’ju falënderoj për besimin që më keni dhënë. Për mua është një përgjegjësi e madhe, një sfidë e përbashkët me ju dhe me çdo qytetar që beson se mund të japë diçka për vendin e vet. Tirana është zemra e Shqipërisë – një qytet me mbi një milion banorë, një qytet që është rritur, që sfidon dhe që na bën krenarë. Pikërisht sepse Tirana është simbol i energjisë dhe ambicies sonë, çdo sakrificë për ta çuar përpara vlen.
E ndjej këtë detyrë si një barrë të madhe, por edhe si një nder të jashtëzakonshëm. Transformimi i Tiranës, modernizimi i saj, nuk janë thjesht projekte fizike – janë mënyra për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve, për ta bërë qytetin më të jetueshëm, më të gëzueshëm, më afër Europës që duam.
Nuk e shoh këtë si një detyrë të radhës, por si një mision historik që kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe besim. Dhe e di që nuk jam vetëm në këtë rrugëtim – jam pjesë e një ekipi që po e transformon Shqipërinë dhe po e afron çdo ditë më shumë me Bashkimin Europian.