Një video që ka bërë xhiron e rrjetit me shpejtësi marramendëse ka shqetësuar jo pak mbarë opinionin publik!

Në kanalin më të ndjekur në New York, “Abc7” shfaqet një grua e pastrehë dhe hidhen dyshimet se është legjenda e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në pamjet virale duket një grua që identifikohet si “Simaku Nohfe” duke marrë ndihma nga një grup fëmijësh, teksa fillimisht nuk ishte e konfirmuar nëse bëhej fjalë për Parashqevi Simakun, ikonën e muzikës shqiptare apo ishte thjesht një person i rastësishëm.

Nxitur dhe nga ngjashmëria në pamjen e jashtë, buzëqeshja, tiparet e fytyrës apo edhe mbiemri Simaku, në rrjetin social “Facebook” është bërë një kërkim ku është gjendur gjithashtu një llogari me po të njëjtin emër “Simaku Nohfe”, teksa në postimet që kishte ishin dhe fotot e vjetra të këngëtares shqiptare duke performuar në skenë.

Një përputhje e vogël e të dhënave ka mjaftuar të verifikohet identiteti i saktë i gruas, e cila u shfaq si e pastrehë në median amerikane me këngëtaren e mirënjohur dhe të dashur shqiptare, rrjeti ka shpërthyer në reagime, përgjithsisht suportuese duke kërkuar kështu ndihmë për lokalizimin e këngëtares.

Por kush është Parashqevi Simaku?

Parashqevi Simaku është padiskutim një nga ikonat e muzikës shqiptare të viteve ’80. Këngëtarja fitoi dashurinë e publikut me zërin melodioz, bukurinë, sharmin dhe elegancën. Parashqevia filloi të merrej me muzikë në moshën 14-vjeçare. Ajo ka marrë pjesë në shumë festivale ku publiku mezi priste ta shihte në skenë teksa këngët e saj kanë qenë hit duke u shpallur fituese edhe në dy festivale të fundvitit në RTSH.

Në 1985-ën në festivalin e 24-t të Këngës në RTSH zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”.

Edhe në 1988-ën fitoi çmimin e parë të Festivalit të 27-të të Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako.

Parashqevi Simaku, këngëtarja e dashur e shqiptarëve e la Shqipërinë fillimisht në vitin 1992. Asnjë lajm prej saj, derisa u rikthye. Për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës dhe dhënë një koncert në Shqipëri. Ishte viti 1997, ndoshta koha e gabuar për ta bërë këtë. Në Shqipëri luftohej. Parashqevia më 14 shkurt 1997  ka dhënë një intervistë në Hotel Rogner, për gazetaren Rudina Xhunga teksa edhe pse në Shqipëri luftohej ajo fliste për dashurinë dhe jetën.

Ndërkohë që pas largimit përfundimtar nga Shqipëria me familjen e saj në drejtim të SHBA, prej këngëtares gjithnjë dhe më pak dëgjohej dhe mësohej për fatin e saj.

Vite më vonë u tha se ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Simaku u divorcua me bashkëshortin e saj në vitin 2006, me të cilin ka një djalë, sot 22 vjeç.

Ndërkohë që sipas lajmeve të botuara së fundi në media, arsyeja kryesore që këngëtarja ka hequr dorë nga muzika, është një paralizë faciale që thuhet se e ka ndryshuar tërësisht në pamje.

Kjo foto që po qarkullon në media, janë daljet e fundit të këngëtares përpara aparatit fotografik. Pas problemeve me shëndetin, Parashqevi Simaku nuk është parë më në publik. 

Nga ana tjetër në një intervistë që ndoshta ka qënë dhe e fundit për këngëtaren e dashur të publikut shqiptar, pasi ajo të mbulohej nga harresa, ajo rrëfente për gazetarin Alfred Kanini vështirësitë me të cilat përballej, por dhe ambicien për t’u futur në tregun muzikor atje.

 “Është shumë e vështirë sepse të afërmit e mi e dinë, unë jetoj vetëm dhe nuk kam njerëz të afërt këtu. Punoj, kam kaq kohë që këndoj në restorantet shqiptare, muzikë popullore dhe muzikë të lehtë… unë kurrë nuk kisha hyrë në këtë biznes, sepse nuk më pëlqen që të këndoj në restorante, por jam e detyruar sepse shumë gjëra këtu duhen filluar nga “A”…. Artistët duhet të provojnë Hollivudin, është ndryshe të ëndërrosh të shkosh dhe është ndryshe ta bëj. Është shumë e vështirë që një vajzë vetëm nga qyteti i Kavajës, të jetojë në mes të New York ku ulesh dhe ngrihesh në një sekond, gjë të cilën unë nuk jam përgatitur, sepse vendi ku jemi rritur ne brenda izolimit, shumë anë praktike të jetës nuk i njohim dhe unë has shumë vështirësi.

Erdha me një tjetër mendim këtu, mendova të bëj një shoë për shqiptarët, të paraqesim vlera, sepse nga gjendja ku ndodhej vendi përfshi edhe Kosovën, arti është harruar dhe është vënë shumë pas politikës…  unë mundohem, është e vështirë, këndoj këngë patriotike sepse këtu i duan.

Me këtë punë që jam marrë këto kohë, që kam kënduar, kam bërë një çik ekonomi, shumë pak mund të them sepse mbaj edhe familjen, sepse jam shumë e lidhur me familjen prindërit… shkoj edhe në shkollë për të mësuar gjuhën. Më duhet të punoj shumë”, tregonte Parashqevi Simaku në atë kohë.

Jeta është e paparashikueshme dhe aq sa të ngre ndonjëherë edhe të ulë apo të përplasë. Fati i të madhes dhe fort të dashurës së shqiptarëve Parashqevi Simaku është trishtim për këdo që e ka ndjekur apo njohur, kjo ka bërë që sensibilizimi i njerëzve të jetë i madh dhe dëshira për ta suportuar gjithashtu.

Pavarësisht të ardhmes që gjithmonë është misteri i jetës dhe gjeneratori, i cili të shtynë për të punuar më fortë, pak por e sigurt është se Parashqevi Simaku ka qënë ikona e muzikës shqiptare, e cila është dashur që në daljet e saj të para dhe do të vijoj të duhet po njëlloj për aq kohë sa muzika dhe memorja popullore të jetë!