Një atentat mafioz pasditen e së dielës me 30 plumba i mori jetën një çifti në Balldren të Lezhës. Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, u ekzekutuan me breshëri plumbash teksa lëviznin me mjetin e tyre tip Audi Q7.

Edhe pse nuk ende asnjë gjurmë nga autorët, sipas hetimeve të deritanishme bëhet e ditur se në aksion kanë marrë pjesë 2 makina, një e zezë dhe një gri. Nga çfarë ka arritur të përfitohet nga kamerat e sigurisë, makina ngjyrë e zezë ka qenë pa targa.

Sipas policisë, ka qenë pikërisht ky mjet që i ka prerë rrugën çiftit, nga i cili një person ka lëshuar 30 plumba duke i marrë jetën në vend Kreshnikut dhe Gentjanës. Autorët e kanë ndjekur për një farë kohe Audin, deri sa gjetën momentin e përshtatshëm për të kryer masakrën.

Vetëm një ditë më parë, çifti Mujeci kishte organizuar një festë për promovimin e harmonisë fetare, me video të ndryshme të publikuara në rrjetet sociale, gjë të cilën sipas dëshmive e bënin shpesh.

Hasmëria me fisin Mhillaj

Konflikti i gjatë mes dy familjeve në zonën e Lezhës, që sipas dyshimeve lidhet me atentatin e ndodhur së fundmi në Balldren, ka rrënjë që shkojnë pas në kohë, deri në vitin 2016. Ajo që nisi si një përplasje e çastit për një çështje të parëndësishme, me kalimin e viteve mori përmasa të rënda dhe pasoja tragjike.

Sipas informacioneve, gjithçka ka nisur në qendër të fshatit Torovicë, kur një automjet i parkuar në rrugë kishte penguar kalimin e mjeteve të tjera. Një grup personash që udhëtonin drejt banesës së tyre i kërkuan drejtuesit të mjetit të lironte rrugën, por situata u tensionua shpejt. Nga një debat verbal, përplasja degradoi në kontakt fizik, duke lënë pas një klimë të rënduar mes palëve.

Edhe pse incidenti në dukje u mbyll aty, tensionet nuk u shuan. Përkundrazi, ato u thelluan në ditët në vijim, ndërsa palët mbetën në qëndrime të kundërta dhe pa gjetur një zgjidhje. Refuzimi për të sqaruar situatën apo për të ulur tensionet duket se e përkeqësoi më tej konfliktin.

Pak kohë më pas, situata mori një kthesë dramatike, kur një prej personave të përfshirë në përplasjen fillestare u qëllua për vdekje gjatë një lëvizjeje të përditshme. Sipas hetimeve të kohës, dyshohej për një pritë të organizuar, ku një debat i ri kishte degjeneruar në përdorimin e armëve.

Ngjarja tronditi zonën dhe çoi në arrestime, por procesi gjyqësor përfundoi pa dënime, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme. Megjithatë, pavarësisht vendimit të drejtësisë, dyshimet dhe mosbesimi mes familjeve nuk u zhdukën, duke mbajtur të ndezur konfliktin ndër vite.

Në vazhdim, tensioni i heshtur u reflektua edhe në jetën e përditshme të anëtarëve të familjeve, të cilët, sipas burimeve, u treguan më të kujdesshëm në lëvizje dhe shmangën kontaktet në zonat ku konflikti kishte lindur.

Ngjarjet e fundit duket se rikthejnë në vëmendje këtë histori të vjetër, duke treguar se si një konflikt i nisur për arsye të vogla mund të përshkallëzohet me pasoja të rënda nëse nuk zgjidhet në kohë.

Edhe pse kjo pistë është hedhur poshtë nga avokati Gjergji Neli, njëherazi i afërm i çiftit, i cili ka kërkuar zbardhjen e plotë të krimit. Ai thekson se hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm në pistën e hakmarrjes, por të shqyrtohen të gjitha mundësitë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Neli ka dënuar ashpër aktin kriminal dhe u ka bërë thirrje institucioneve ligjzbatuese që të identifikojnë dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët e kësaj ngjarjeje.

Në lidhje me një ngjarje të ndodhur disa vite më parë, ai ka sqaruar se Kreshnik Mujeci nuk është shpallur fajtor, duke hedhur poshtë aludimet që mund ta lidhin rastin aktual me çështje të mëparshme.