Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij gjatë ceremonisë së inaugurimit të Bordit të Paqes, ku theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një platformë e re për adresimin e konflikteve ndërkombëtare përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

Në nisje të fjalës, ai vlerësoi ftesën e bërë Shqipërisë nga Donald Trump, duke e konsideruar atë një shenjë besimi dhe një mundësi për të kontribuar në përpjekjet për stabilitet global. Sipas Ramës, iniciativa synon të krijojë ura komunikimi mes palëve në konflikt dhe të promovojë zgjidhje paqësore afatgjata.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Shqipëria është e gatshme të japë kontribut konkret në këtë proces, jo vetëm përmes mbështetjes financiare, por edhe duke ofruar ekspertizë në fusha të ndryshme, përfshirë proceset e rindërtimit në Gaza. Ai theksoi se përvoja e vendit në transformim dhe zhvillim mund të shërbejë si model në kontekste të ndërlikuara pas konfliktit.

Në vijim të fjalës, Rama e cilësoi vizionin e Presidentit amerikan për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme si një qasje ambicioze që meriton mbështetje ndërkombëtare. Ai nënvizoi se Shqipëria synon të jetë një partner aktiv dhe një vlerë e shtuar në realizimin e këtij vizioni.

Në fund, Kryeministri iu drejtua drejtpërdrejt Presidentit amerikan duke ngritur çështjen e drejtuesve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë. Me theks të veçantë ai përmendi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar nevojën për një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë. Rama kërkoi angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të shmangur, sipas tij, pasoja të padëshiruara nëse situata zvarritet.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes:

Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi, z. President. Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë përsa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re.

Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.

Z.President, Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj. Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti  publik të dedikuar për fëmijët palestinezë.

Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë,  jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve.

Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëhej pjesë e këtij vargu. Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur ,më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.

Presidenti i Kosovës, që, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje, në praninë e presidentit Trump dhe në fakt kjo ishte çfarë u bë nga ai prokuror sikar që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht.

Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare.

Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh  e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës.

Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj  spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar, në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike.

Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish. Edhe njëherë, ju falënderoj që përfshitë Shqipërinë në këtë nismë fisnike. Duke qenë  miq të afërt me Izraelin dhe vendet arabe, shpresojmë fort të jemi një vlerë e shtuar e vizonit tuaj të jashtëzakonshëm.