Protesta kombëtare e nisur më 30 maj, apo ndryshe e quajtur “Revolucioni Flamingo” ka mbushur tashmë më shumë se një muaj, duke u kthyer në një nga tubimet më jetëgjatë dhe historike në vendin tonë. E teksa ditët kalojnë, ky tubim duket se ka ndryshuar edhe pamje, duke ardhur në përshkallëzim.
Në 30 ditët e mëparshme qytetarët gumbulloheshin paqësisht para Kryeministri, e më pas marshonin në rrugët e kryeqytetit duke iu bërë thirrje të gjithëve tu bashkoheshin. Pasditja e 29 qershorit ishte ajo që ndryshoi gjithçka.
Një grup studentësh u ngjitën në katin e sipërm të Universitetit Politeknik dhe nga aty, shfaqën një pankartë në të cilën shkruhej “Ju erdhi fundi”, dedikuar klasës politike shqiptare. Ata e varën banderolën me qëllimin që ajo të qëndronte aty, si një shenjë revolte. Megjithatë, rojet private të sigurisë në godinë ndërhynë duke e larguar. Kjo solli përplasje fizike mes tyre, madje duke lënë disa të lënduar dhe dëme materiale në hyrjen e godinës së universitetit.
Protesta e të hënës u mbyll me tensione por edhe me paralajmërimin për një tubim tjetër, këtë herë në dyert e Kuvendit, ku do të zhvillohej seanca parlamentare. Mëngjesi i të martës do të sillte një përshkallëzim të situatës, me përplasje të shumta mes policisë dhe protestuesve.
Qytetarët ishin të “armatosur” me vezë të cilët i përdorën për të gjuajtur ligjvënësit që hynin drejt Kuvendit, ndërsa vijonin thirrjet e përhershme kundër klasës politike. Tentativa e policisë për t’i larguar solli përplasje të dhunshme, me disa skena që nga shumë u krahasuan me ato të protestës së 23 majit në Zvërnec, ku një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojet private.
6 persona u shoqëruan në komisariat, mes tyre edhe Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së, i cili më herët është sulmuar edhe nga kryeministri Edi Rama pasi u shfaq si një nga organizatorët e protestës. Nga Kuvendi, protesta u zhvendos para godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku qytetarët kërkonin lirimin e personave të shoqëruar. Tubimi vijoi deri në lirimin e këtyre të fundit, duke shënuar protestën e parë e cila vijoi gjithë ditën.
Pas tubimit të zakonshëm të nisur në orën 19:00, qytetarët paralajmëruan se tubimi i radhës do të ishte mëngjesi ne të mërkurës, para godinës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dhe ashtu ndodhi. Në orë 10:00 ata u grumbulluan para SPAK, ku dorëzuan librin “Albanian Files”, të cilin e konsiderojnë si provë të abuzimit që kryeministri Edi Rama ka bërë duke lejuar ndërtime pa kriter në vendin tonë. Organizatorët folën në emër të të gjithë protestuesve, duke shprehur mbështetje ndaj punës së SPAK në goditjen e korrupsionit dhe abuzimit të funksionarëve të lartë shtetërorë. Nga ana tjetër kërkuan rezultate të mëtejshme.
Sipas tyre, hetuesit e SPAK e pranuan librin si provë, megjithatë deri më tani nga ana e Prokurorisë së Posaçme nuk ka patur asnjë reagim në lidhje me këtë denoncim.
Edhe dita e sotme nisi me një protestë të tensionuar para Kuvendit. Në ndryshim nga data 30 qershor kur protesta para Kuvendit duket se i gjeti të “papërgatitur” efektivët e policisë, këtë herë gjithçka ishte nën kontroll. Në orët e hershme, policia kishte krijuar një kordon sigurie duke rrethuar të gjithë territori ne Kuvendit, duke mos lejuar asnjë qytetar që të kalonte dhe t’i afrohej godinës nga e cila do të hynin deputetët dhe ministrat. Kjo solli tensione duke bërë që të ketë përplasje të dhunshme mes tyre. Një qytetar u shfaq i gjakosur, 5 protestues janë shoqëruar deri më tani, ndërkohë që 3 efektivë policie janë lënduar për shkak të hedhjes së gurëve nga ana e protestuesve. Po ashtu, disa qytetarë të tjerë janë lënduar si pasojë e spray-t që policia hodhi drejt tyre.
Teksa para Kuvendit tensionet vijojnë, një pjesë e qytetarëve aktualisht janë zhvendosur drejt komisariatit nr 1, aty ku po mbahen protestuesit e shoqëruar më herët. Ata protestojnë duke kërkuar lirimin e tyre.
Protestat e fundit, dukshëm më të tensionuara dhe me incidente të shumta janë komentuar nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka ndarë pjesëmarrësit në dy grupe. Sipas tij ata që protestojnë para Kuvendit janë “sorra dhe korba” që po përpiqen të përfitojnë nga qytetarët e tjerë. Ndërkohë qytetarët që marrin pjesë në tubimin para kryeministrisë, për Ramën janë “flamingo”.
Pas një muaji tubimi paqësor, që tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës duke u kthyer në lajm kryesor, protesta duket se ka ndryshuar “faqe” dhe se po vijon të përshkallëzohet.
