Një analizë e publikuar nga media greke Protothema i kushton vëmendje rrugëtimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke theksuar se shumë prej tyre kanë kaluar nga puna si krah i lirë në drejtimin e kompanive të ndërtimit dhe bizneseve të suksesshme.

Sipas artikullit, gjatë viteve 2005-2006 në Greqi jetonin rreth 600 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa numri i atyre me dokumente të rregullta llogaritej mes 440 mijë dhe 500 mijë. Një pjesë e madhe e tyre ishte e angazhuar në sektorin e ndërtimit, përfshirë punësimin sezonal dhe atë informal.

Në atë periudhë, shqiptarët përbënin forcën kryesore të punës në kantieret greke. Studimet e kohës tregonin se rreth një në tre burra shqiptarë punonte në ndërtim, ndërsa ata zinin rreth 75% të fuqisë punëtore të huaj në këtë sektor.

Vlerësohet se në kulmin e bumit të ndërtimit në Greqi, rreth 120 mijë deri në 150 mijë shqiptarë punonin në këtë industri. Fillimisht shumica ishin punëtorë të pakualifikuar, por me kalimin e viteve fituan eksperiencë, u specializuan në profesione të ndryshme dhe morën role gjithnjë e më të rëndësishme në treg.

Periudha para dhe pas Lojërave Olimpike të Athinës në vitin 2004 konsiderohet si momenti më i favorshëm për punëtorët shqiptarë, pasi sektori i ndërtimit njohu rritje të jashtëzakonshme, pagat ishin të larta dhe kërkesa për fuqi punëtore ishte në maksimum.

Megjithatë, kriza financiare që goditi Greqinë ndryshoi plotësisht situatën. Aktiviteti në ndërtim u tkurr me mbi 80%, duke lënë pa punë mijëra persona. Si pasojë, dhjetëra mijëra shqiptarë u rikthyen në Shqipëri ose emigruan drejt vendeve të Evropës Veriore, ku gjetën mundësi më të mira punësimi dhe paga më të larta.

Sipas vlerësimeve, mes 75 mijë dhe 100 mijë shqiptarë u larguan nga Greqia gjatë viteve të krizës. Shumë prej tyre, falë shtetësisë greke ose dokumenteve europiane, u vendosën në vende si Gjermania, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Numri i shqiptarëve të punësuar në ndërtim ra në më pak se 30 mijë, ndërsa ata që mbetën u orientuan kryesisht drejt punimeve të vogla, rikonstruksioneve dhe mirëmbajtjes së objekteve, veçanërisht në zonat turistike.

Sot panorama ka ndryshuar sërish. Me rimëkëmbjen e ekonomisë greke dhe rritjen e investimeve në pasuri të paluajtshme, sektori i ndërtimit po përjeton një valë të re zhvillimi.

Protothema thekson se një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë të brezit të parë nuk janë më punëtorë krahu. Shumë prej tyre kanë krijuar kompani ndërtimi, ekipe teknike dhe biznese të konsoliduara që realizojnë projekte të mëdha, duke punësuar edhe qytetarë grekë.

Sipas të dhënave të Dhomës së Zejtarëve të Athinës, sektori i ndërtimit përbën pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik të sipërmarrësve shqiptarë në kryeqytetin grek. Nga rreth 10 mijë biznesmenë shqiptarë në të gjithë Greqinë, mbi 5 mijë janë pronarë të kompanive të vogla, të mesme ose të mëdha që operojnë në ndërtim dhe shërbime teknike.

Artikulli thekson se suksesi i tyre është rezultat i viteve të gjata të punës dhe specializimit. Nga punëtorë të pakualifikuar, shumë shqiptarë u bënë mjeshtër, më pas nënkontraktorë dhe sot drejtojnë kompani që marrin pjesë në projekte të rëndësishme ndërtimi dhe rikonstruksioni.

Roli i tyre në ekonominë greke është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm. Kompanitë shqiptare marrin pjesë në panaire të sektorit të ndërtimit, investojnë në pasuri të paluajtshme dhe bashkëpunojnë me kompani vendase në projekte të ndryshme.

Megjithatë, numri i shqiptarëve që punojnë sot në ndërtim është shumë më i ulët se në të kaluarën. Sipas vlerësimeve, aktualisht në këtë sektor janë aktivë rreth 20 mijë deri në 25 mijë shqiptarë, përfshirë mjeshtër, kontraktorë dhe sipërmarrës.

Protothema vëren se boshllëku i krijuar nga largimi i punëtorëve shqiptarë po plotësohet tashmë përmes marrëveshjeve që Greqia ka lidhur për të sjellë fuqi punëtore nga vende të Azisë dhe nga Egjipti.