Dokumenti strategjik “BESA”, që kryeministri Edi Rama u prezantoi dje anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar socialist, parashikon krijimin e një sërë strukturash dhe mekanizmash të rinj që synojnë të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe administratës publike.
Sipas dokumentit, të cilin Top Channel e disponon, një prej strukturave kryesore është Njësia BESA, e cila do të funksionojë pranë strukturës ekzistuese të planifikimit strategjik në Kryeministri. Roli i saj do të jetë koordinimi i zbatimit të metodës BESA, duke lidhur standardet, të dhënat dhe raportimin mes institucioneve, pa cenuar kompetencat e ministrive apo institucioneve të tjera.
Dokumenti parashikon gjithashtu krijimin e platformës publike “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingove), e konceptuar si një ndërfaqe dixhitale dygjuhëshe ku do të publikohen dokumente, konsultime, evidenca, afate, zotime dhe rezultatet e vendimeve me interes të lartë publik. Sipas dokumentit, platforma synon të rrisë transparencën dhe të luftojë dezinformimin përmes publikimit të të dhënave dhe dokumentacionit shoqërues.
Një tjetër mekanizëm i propozuar është Barometri Kombëtar i Besimit, i cili përshkruhet si një instrument i pavarur për matjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Rezultatet e tij do të shërbejnë si tregues i performancës institucionale, ndërsa metodologjia dhe të dhënat e agreguara do të bëhen publike.
Po ashtu, dokumenti propozon ngritjen e Laboratorit të Politikave Publike, një mekanizëm që do të përdoret për testimin e reformave në shkallë të kufizuar përpara zbatimit të tyre në nivel kombëtar. Sipas dokumentit, laboratori nuk do të jetë një institucion i ri, por një instrument për pilotimin e politikave publike dhe vlerësimin e efekteve të tyre përpara marrjes së vendimeve përfundimtare.
