Pas një seance të shoqëruar me debate, kundërshti dhe polemika, Kuvendi miratoi pas mesnate ligjin për Hartën e re Territoriale. Nisma mori 85 vota pro dhe sjell ndryshime të rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor në vend.
Sipas ndarjes së re, 28 bashki aktuale konsolidohen në 13 bashki më të mëdha. Si rezultat, Shqipëria do të ketë gjithsej 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.

Modeli ruan bashkinë si njësinë e vetme të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të përbashkët. Në total, 13 bashki me një popullsi prej rreth 225 mijë banorësh do të bashkohen me njësi fqinje.

Në Qarkun e Tiranës, kryeqyteti nuk pëson ndryshime në strukturën e tij, ndërsa Kavaja dhe Rrogozhina shkrihen në një bashki të vetme. Një tjetër risi është krijimi i njësisë administrative të Rinasit, e cila do të jetë pjesë e Bashkisë Tiranë.

Njësia e re e Rinasit do të përfshijë fshatin Rinas, aktualisht pjesë e Bashkisë Krujë, si dhe Bërxullën dhe Domjen nga Bashkia Vorë. Në këtë mënyrë, territori i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe zona ekonomike përreth tij do të përfshihen në një njësi të vetme administrative.

Qarku i Lezhës nuk preket nga riorganizimi. Në Shkodër, ndërkohë, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën.
Ndryshime të konsiderueshme parashikohen në Qarkun e Beratit, ku numri i bashkive ulet nga pesë në tre. Berati bashkohet me Poliçanin dhe Dimalin, ndërsa Kuçova dhe Skrapari vazhdojnë të funksionojnë si bashki më vete.

Edhe Qarku i Elbasanit do të ketë më pak bashki. Përrenjasi bashkohet me Librazhdin, një vendim që është kundërshtuar nga një pjesë e banorëve të zonës. Ndërkohë, Bashkia Elbasan zgjerohet duke përfshirë Belshin dhe Cërrikun. Peqini dhe Gramshi ruajnë statusin aktual.

Në Qarkun e Fierit, Bashkia Fier zgjerohet duke u bashkuar me Patosin. Lushnja, nga ana tjetër, bashkohet me Divjakën, duke e shtrirë territorin e saj deri në bregdet.
Në Dibër, ndryshimi konsiston në bashkimin e Klosit me Matin.

Riorganizimi prek ndjeshëm edhe Qarkun e Gjirokastrës. Tepelena bashkohet me Memaliajn, Përmeti me Këlcyrën, ndërsa Libohova i bashkohet Bashkisë Gjirokastër.

Në jug të vendit, Vlora zgjerohet duke përfshirë edhe Selenicën. Ndërsa në Qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Korçën, pavarësisht kundërshtimeve që kanë shoqëruar propozimin.

Qarku i Kukësit mbetet i pandryshuar. Ai do të vazhdojë të përbëhet nga tri bashkitë aktuale: Kukës, Has dhe Tropojë.

Në hartimin e hartës së re janë marrë në konsideratë, sipas propozuesve, jo vetëm treguesit demografikë dhe financiarë, por edhe distancat, lidhjet rrugore, vazhdimësia gjeografike, prania e minoriteteve dhe karakteristikat identitare të zonave.
Për këtë arsye, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli ruajnë statusin e tyre dhe trajtohen si raste të veçanta, pavarësisht numrit të banorëve apo treguesve ekonomikë.