Kuvendi i Shqipërisë ka votuar ditën e sotme me 73 vota pro projektbuxhetin e vitit 2024, në seancën më të shkurtër të historisë së tij prej 4 minuta e 29 sekonda.

Në kushte të jashtëzakonshme, teksa opozita kishte përmbysur të gjitha karriget, kishte bllokuar foltoren dhe ndezur tymueset, e gjithë mazhoranca me prezencën edhe të kryeministrit Edi Rama u dakordësuar me ngritjen e kartonave jeshil për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Tensionet kulmuan në momentin kur një prej flakadanëve që opozita kishte me vete mori flakë. Teksa zjarri rriste përmasat e tij, deputetët e opozitës tentuan ta shuanin atë.

Nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha mbante të hapur një video live në llogarinë e tij zyrtare në rrjetet sociale, duke e përdorur këtë të fundit si një “foltore” për të komunikuar me qytetarët dhe hedhur akuza ndaj mazhorancës.

Pavarësisht tensioneve, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin 2024, por duke bërë një gafë në raportimin e shifrave të votimit. Nikolla hapi votimin për prezencën në Kuvend, ndërkohë që u shpreh se në sallë ishin të pranishëm 83 deputetë. Kuorumi nuk u realizua me elektronikë, por votimi u bë me kartonë jeshil.

Nikolla tha se në sallë ishin prezentë 83 deputetë të maxhorancës. Ligji për akcizën është votuar në parim me 73 vota pro, por projektligjet e tjera në mënyrë të habitshme u shtuan me 10 vota. Sipas Nikollës projektligji u miratua me 83 vota pro, pavarësisht se në Kuvend ishin prezentë në sallë vetëm 73 deputetë.

Zyra e shtypit të Kuvendit me anë të një njoftimi të shkurtër të shpërndarë me ëhatsap ka sqaruar se: “Të nderuar kolegë, të gjitha aktet ligjore në seancën e sotme plenare u votuan me 73 vota pro”.

Pas përfundmit të seancës plenare, e cila ishte një kaos i vërtetë Berisha ka folur para mediave dhe e ka cilësuar të gjithë ngjarjen e sotme si të turpshme.

“Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar në historinë 32-vjeçare të parlamentit. Ju e patë vetë se si banorët e fermës së Edi Ramës, lexo Xhorxh Oruellit, kaluan brenda 5 minutash, aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit. E kaluan në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi këtu si një proces klandestin, i zhvilluar në thyerje të plotë të rregullores dhe ligjeve me zoom, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë.

Kështu siç nisi, ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në parlament, të merrte të gjithë dimensionet që i takonin, por ata e kaluan atë brenda 7 minutash, në frikë dhe tmerr. E votuan, por nuk votoi askush, nuk ka asnjë evidencë për votimin, as për ndonjë gjë tjetër, përveç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës, Lindita Nikollës.

Kjo dëshmon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një fitore në betejën e saj pa kthim, pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre të mashtrojnë shqiptarët me vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, buxhetin e gjobës më të madhe ndaj shqiptarëve. Beteja pa kthim e opozitës vazhdon.”, tha Berisha.

Nga ana tjetër edhe Bardhi ka mbajtur fjalën e tij pas daljes nga Kuvendi.

“Sa i përket betejës së opozitës, ne do ta vazhdojmë në Kuvend. Nuk do lejojmë punimet normale të Kuvendit. 4 minuta e 29 sekonda plenare, do të thotë që Kuvendi është futur në paligjshmëri. Në asnjë moment nuk kam deklaruar që do bllokojmë votimin, sepse hajdutët me mandat parlamentari i kanë votat për të miratuar ligjet. Ama beteja jonë është për t’iu treguar çdo qytetari që ky nuk është Parlamenti që i përfaqëson. Do ndjekim edhe hapa të tjerë institucional mbi vendosmërinë tonë”, u shpreh Bardhi.

Nga përfaqësuesit e mazhorancës ka qenë vetëm Bledi Çuçi ai i cili ka folur për mediat mbi situatën e krijuar ditën e sotme në Kuvend. Çuç ka zgjedhur ta injoroj kaosin duke vlerësuar kështu buxhetin si më të madhin që është miratuar ndodnjëherë.

“E njëjta skenë. E vetmja e re është miratimi i buxhetit më të madh publik në historinë e 32 viteve. Janë 7 miliardë euro që është dyfishi i buxhetit të 2013. Sot që ata duhet të flisnin, pamë të njëjtin skenar. E vetmja gjë që duhet t’i mbetet në mendje çdo shqiptari është buxheti që sapo miratuam 400 milionë euro plus për rritjen e paga”, tha Çuçi.

Ndërkohë që bëjmë me dije se kjo nuk është seanca e parë e deputetëve “problematik” të opozitës, të cilët prishin rendin dhe qetësinë e çdo mbledhje me kaos dhe flakadanë duke e cilësuar këtë si një prej levizjeve të tyre për tu dëgjuar dhe marrë në konsideratë nga ana e mazhorancës.

Kujtojmë se pak ditë më parë, të njejtët deputet të opozitës kanë hipur nga dritarja e Kryesisë për të marrë pjesë në godinën ku po zhvilloheshin disa prej komisioneve.

Nuk dihet se si do të vijoj lëvizja e tyre, teksa pamjet e ngjitje-zbritjeve nëpër dritare të deputetëve të cilët kanë marrë votëbesimin e qytetarëve padiskutim që nuk janë më të bukurat që mund të shihen.

Teksa opozita e ndarë në disa pjesë vijon aksionin e saj, qytetarët presin që në Kuvendin e Shqipërisë të diskutohen çështje në interes të tyre dhe prej të gjithë panoramës të paraqitur së fundmi në media, vetëm kjo gjë nuk ka ndodhur!