Abelardo de la Espriella pëlqen ta paraqesë veten si një njeri që i kthen ëndrrat në realitet. “Jam një ëndërrimtar që realizon ëndrrat e tij”, është mënyra se si e përshkruan veten avokati dhe biznesmeni ekscentrik, i cili tashmë ka arritur objektivin më të madh të karrierës së tij: Presidencën e Kolumbisë.

Pa asnjë eksperiencë të mëparshme në poste publike, por me një profil të fortë publik dhe një fushatë agresive, lideri i lëvizjes “Juntos por la Patria”, i njohur me nofkën “Tigri”, fitoi zgjedhjet presidenciale me premtimin për rikthimin e rendit dhe sigurisë, duke deklaruar se synon ta drejtojë Kolumbinë si një sipërmarrje të madhe kombëtare.

De la Espriella e ka ndërtuar imazhin e tij politik mbi tre shtylla që i konsideron të panegociueshme: Zoti, Atdheu dhe Familja. Në fjalimet e tij ai paraqitet si alternativë ndaj klasës tradicionale politike dhe premton t’i japë fund dhunës, korrupsionit dhe trafikut të drogës për të ndërtuar atë që e quan “Atdheu i Mrekullisë”.

Pas publikimit të rezultateve zgjedhore, ai falënderoi mbështetësit përmes rrjeteve sociale.

“Faleminderit që na besuat. Me ndihmën e Zotit dhe me punën e të gjithë kolumbianëve, vizioni ynë për një Kolumbi të re do të bëhet realitet. Sot demokracia ka folur dhe ne do të vazhdojmë të ecim përpara me vendosmëri”, shkroi ai.

Fitorja e tij u përshëndet menjëherë nga figura të njohura të së djathtës në Amerikën Latine, mes tyre presidenti argjentinas Javier Milei, presidenti ekuadorian Daniel Noboa, politikani kilian José Antonio Kast, si dhe Keiko Fujimori dhe María Corina Machado. Urime mori edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili gjatë fushatës i kishte shprehur mbështetje të hapur.

Nga avokat i famshëm në president

Përpara se të hynte në politikë, De la Espriella ndërtoi një karrierë të suksesshme si avokat penalist dhe më pas si sipërmarrës. Ai grumbulloi një pasuri të konsiderueshme falë çështjeve gjyqësore të profilit të lartë dhe investimeve në biznese të ndryshme.

Marka e tij personale përfshin produkte të ndryshme, nga pije alkoolike deri te linja veshjesh për meshkuj, duke e shndërruar atë në një figurë të njohur edhe jashtë botës juridike.

Analistët politikë vlerësojnë se imazhi i biznesmenit të suksesshëm ka qenë një nga armët më të forta të fushatës së tij.

“Ai u paraqit si njeriu që di të menaxhojë, që ka ndërtuar pasurinë e vet dhe që mund të administrojë shtetin me të njëjtën efikasitet”, vlerësojnë ekspertët e politikës kolumbiane.

Rrënjët dhe polemikat

I lindur në Bogota më 31 korrik 1978, De la Espriella u rrit kryesisht në Montería, në rajonin e Karaibeve kolumbiane. Ai shpesh kundërshton akuzat se është pjese e elites, duke u përshkruar si “një djalë tipik i Karaibeve”, pavarësisht stilit luksoz të jetesës që shfaq publikisht.

I frymëzuar nga babai i tij, gjithashtu avokat, studioi drejtësi në Universitetin Sergio Arboleda dhe ndërtoi një karrierë që shpesh ka qenë objekt debatesh. Gjatë viteve ai ka mbrojtur figura të njohura dhe kontroverse të jetës publike kolumbiane, mes tyre ish-presidentin Álvaro Uribe, biznesmenin Álex Saab dhe David Murcia Guzmán, i njohur për një nga skemat më të mëdha piramidale në historinë e vendit.

“Ne nuk jemi si të tjerët”

Një nga mesazhet kryesore të fushatës së tij ishte ideja se ai përfaqëson “ata që nuk kanë qenë kurrë në pushtet”, në kontrast me klasën tradicionale politike.

De la Espriella thekson vazhdimisht se nuk ka mbajtur asnjëherë poste publike dhe se nuk ka jetuar nga fondet shtetërore.

Megjithatë, kritikët argumentojnë se ai ka pasur mbështetjen e grupeve të fuqishme ekonomike dhe politike, përfshirë familjen Char, një nga klanet më me ndikim në Kolumbi. Sipas analistëve, ai ka qenë i kujdesshëm që gjatë fushatës të mos identifikohej publikisht me establishmentin politik, pasi pikërisht kundërshtimi ndaj tij ishte një nga armët kryesore elektorale.

Nga ana e tij, presidenti i zgjedhur këmbëngul se nuk ka hyrë në politikë për përfitime personale.

“Nuk kam ardhur për të bërë para. Kam ardhur për t’i shërbyer vendit tim. Jeta ime është e siguruar prej kohësh”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, lëvizja e tij politike vazhdon të shesë produkte promocionale me simbolin e tigrit, nga kapelet dhe bluzat deri te aksesorët dhe materialet trajnuese për fushata elektorale, duke e kthyer figurën e tij në një markë politike me ndikim të madh në skenën kolumbiane.