Zhvillimet e fundit ushtarake dhe kapja e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, nga administrata e Donald Trump po hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Amerikën Latine. Megjithatë, ndonëse ngjarja perceptohet si e paprecedentë në kontekstin aktual, historia tregon se SHBA-të kanë vepruar edhe më parë në mënyrë të ngjashme, duke kapur ose rrëzuar udhëheqës shtetesh që i konsideronin kërcënim për interesat e tyre strategjike.
Dy nga rastet më të njohura janë ai i ish-udhëheqësit ushtarak të Panamasë, Manuel Noriega, dhe i ish-presidentit irakian Saddam Hussein.
Rasti i Panamasë: rrëzimi dhe arrestimi i Manuel Noriegës
Në dhjetor të vitit 1989, SHBA-të ndërmorën pushtimin ushtarak të Panamasë me qëllim rrëzimin e Manuel Noriegës, udhëheqës de facto i vendit. Uashingtoni e justifikoi ndërhyrjen me disa arsye zyrtare, përfshirë mbrojtjen e qytetarëve amerikanë, rivendosjen e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të drogës.
Një vit më parë, në 1988, Noriega ishte paditur nga një gjykatë federale në Miami për kontrabandë droge, akuza të ngjashme me ato që SHBA-të kishin ngritur edhe ndaj Nicolás Maduro. Operacioni në Panama u konsiderua në atë kohë ndërhyrja më e madhe ushtarake amerikane që nga Lufta e Vietnamit.
Pas pushtimit, Noriega kërkoi strehim të përkohshëm në Nunciaturën Apostolike (ambasada e Vatikanit) në Panama City. Ai qëndroi aty për disa ditë, ndërsa forcat amerikane rrethuan ndërtesën, përpara se të dorëzohej më 3 janar 1990. Më pas u dërgua në SHBA, ku u përball me akuzat për trafik droge dhe u dënua nga një gjykatë federale.
Noriega qëndroi i burgosur në SHBA deri në vitin 2010, kur u ekstradua në Francë për akuza të tjera, për t’u rikthyer më pas në Panama. Ai vdiq në vitin 2017 në një burg panamez, ndërsa vuante dënimin për krime të shumta.
Lidhjet me narkotrafikun dhe regjimet autoritare
Si Noriega ashtu edhe Maduro janë akuzuar për lidhje me rrjete të mëdha kriminale. Në rastin e Noriegës, bëhej fjalë për bashkëpunim me Kartelin Medellín, ndërsa Maduro është lidhur nga autoritetet amerikane me të ashtuquajturin “Karteli i Diejve”, një rrjet i dyshuar brenda aparatit shtetëror venezuelian.
Të dy udhëhoqën regjime autoritare, të akuzuara për zgjedhje jo të lira, shtypje të opozitës dhe shkelje sistematike të të drejtave të njeriut. Dallimi kryesor qëndron në mënyrën e ardhjes në pushtet: Noriega u ngrit pas një grushti shteti ushtarak, ndërsa Maduro trashëgoi pushtetin pas vdekjes së paraardhësit të tij, Hugo Chávez.
Saddam Hussein: kapja pas pushtimit të Irakut
Një tjetër precedent i rëndësishëm është kapja e Saddam Husseinit më 13 dhjetor 2003, rreth nëntë muaj pas fillimit të pushtimit të Irakut nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-të. Lufta u justifikua nga Uashingtoni me pretendimin se regjimi i Sadamit zotëronte armë të shkatërrimit në masë, pretendime që më vonë rezultuan të pabazuara.
Ashtu si Noriega, Saddam Hussein kishte qenë për vite me radhë një aleat strategjik i SHBA-ve, veçanërisht gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980. Në prag të luftës së vitit 2003, administrata amerikane e akuzoi gjithashtu Sadamin për lidhje me grupe terroriste si al-Qaeda, akuza që nuk u vërtetuan kurrë.
Sadami u gjet i fshehur në një bunker nëntokësor pranë Tikritit. Ai u gjykua nga një gjykatë irakiane, u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit dhe u ekzekutua me varje më 30 dhjetor 2006.
Një model i përsëritur në politikën amerikane
Nga Panama te Iraku dhe tani Venezuela, rasti i Nicolás Maduro po ringjall debatin mbi rolin e SHBA-ve në rrëzimin ose kapjen e liderëve të huaj. Historikisht, këto ndërhyrje janë justifikuar me argumente që variojnë nga siguria kombëtare dhe lufta kundër drogës, te mbrojtja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Megjithatë, pasojat afatgjata të këtyre veprimeve kanë qenë shpesh të debatueshme, duke lënë pas vende të destabilizuara dhe konflikte të reja, çka e bën precedentin aktual një zhvillim me pasoja potencialisht të gjera për rajonin dhe më gjerë.
