Prestigjozja amerikane “New York Times” i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit në Shqipëri që kanë marrë vëmendje ndërkombëtare.
Protestat kundër planeve të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump, për zhvillimin e komplekseve luksoze në një pjesë ekologjikisht të ndjeshme të bregdetit shqiptar janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit.
Demonstratat, të zhvilluara si në Tiranë ashtu edhe në qytete të ndryshme bregdetare, janë shndërruar në një simbol të pakënaqësisë më të gjerë që ekziston në Shqipëri, një vend që për dekada ka qenë ndër më të varfrit në Europë. Një tjetër protestë ishte planifikuar të mbahej të martën në mbrëmje në kryeqytet.
Prej vitesh, projekti në fjalë – një kompleks luksoz hotelesh me vlerë 1.4 miliardë dollarë në një ishull pranë bregdetit dhe një tjetër zhvillim turistik në një gadishull që përfshin ligatina me rëndësi të veçantë mjedisore – kanë ngjallur debate dhe shqetësime lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe mungesën e transparencës.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i ka paraqitur vazhdimisht këto investime si një mundësi për të forcuar industrinë turistike në rritje të Shqipërisë dhe për të tërhequr investitorë të huaj, duke i konsideruar ato si projekte me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Të martën, kryeministri Edi Rama deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se këto projekte përfaqësojnë “ambicien për të krijuar destinacionin më tërheqës në këtë anë të Mesdheut”.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet e kundërshtarëve të projektit se Jared Kushner, një prej investitorëve të përfshirë në nismë, ka përfituar trajtim preferencial për shkak të lidhjeve familjare me vjehrrin e tij, Presidentin Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë ia referoi pyetjet e mediave kompanisë së investimeve të Kushnerit, Affinity Partners, e cila financohet kryesisht nga fonde të ardhura nga Arabia Saudite. Nga ana e saj, Affinity Partners i drejtoi pyetjet te kompania Sazan Real Estate Development LLC, zhvilluesja përgjegjëse për të dy projektet në Shqipëri.
“Jemi të entuziazmuar për mundësinë që të krijojmë një destinacion të klasit botëror dhe të realizojmë një nga investimet private më të mëdha në historinë e këtij rajoni”, u shpreh në një deklaratë Asher Abehsera, kryetar i kompanisë Sazan, e cila po zhvillon këto projekte.
Ai theksoi se një nga shtyllat kryesore të projektit do të jetë edhe kujdesi i përgjegjshëm për mjedisin dhe ruajtja e ekuilibrit natyror.
Megjithatë, jo të gjithë në Shqipëri janë të bindur nga këto garanci.

Kundërshtarët e projektit thonë se reagimi publik tashmë ka kaluar kufijtë e aktivizmit mjedisor. Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare dhe një nga zërat më të njohur kundër zhvillimit të planifikuar, shprehet se lëvizja ka fituar mbështetje të gjerë në shoqëri.
“Praktikisht janë të gjithë aty,” tha ai. “Gjen njerëz të majtë, të djathtë, si dhe individë me bindje të ndryshme fetare.”
Sipas Binos, një nga shqetësimet kryesore lidhet me mungesën e transparencës, pasi deri më sot nuk është bërë publik raporti i ndikimit në mjedis, një dokument që zakonisht kërkohet për projekte të kësaj përmase.
Që prej fundit të muajit prill, aktivistë dhe qytetarë janë mbledhur vazhdimisht në gadishullin e Zvërnecit, një zonë bregdetare prej rreth 1,000 hektarësh e njohur për biodiversitetin e saj të pasur. Ajo është habitat i shumë specieve të shpendëve, përfshirë flamingot dhe pelikanët.
Sipas ambientalistëve, protestat nisën pasi në terren u vunë re shenja që sugjeronin fillimin e punimeve. Ata raportuan gjurmë mjetesh të rënda dhe buldozerësh që, sipas tyre, po ndërhynin në dunat ranore të zonës.
Ditët e fundit tensionet janë rritur më tej pas vendosjes së gardheve me tela me gjemba në territor. Bino thotë se në zonë është kufizuar edhe qasja përmes të paktën një rruge hyrëse.
Përplasjet kulmuan të shtunën, kur, sipas pamjeve të verifikuara, situata u përshkallëzua. Në video u pane persona që debatojnë përtej gardheve me tela me gjemba, ndërsa në një tjetër moment dy burra tërheqin një person mbi rërë.
Për Binon dhe shumë prej protestuesve, çështja nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e mjedisit. Ata e konsiderojnë projektin si simbol të shqetësimeve më të gjera për transparencën dhe funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, një vend që doli nga regjimi komunist në vitin 1991.

Në dhjetor të vitit 2024, pas muajsh debatesh dhe kundërshtimesh, autoritetet shqiptare dhanë miratimin paraprak për projektin e propozuar nga Jared Kushner në ishullin e pabanuar të Sazanit, një territor që gjatë periudhës komuniste shërbeu si bazë ushtarake sekrete për nëndetëset.
Ndërkohë, projekti i planifikuar në zonën e Zvërnecit parashikon ndërtimin e rreth 6,000 dhomave hoteliere dhe vilave turistike, nëse plani realizohet plotësisht.
