Enkel dhe Morel Kertalli përkatësisht 35 dhe 39 vjeç janë dy vëllezërit, për të cilët OFL kërkon të dijë sesi ata e kanë vënë pasurinë e tyre; ose më saktë ata vetë duhet të justifikojnë të gjitha të ardhurat, të cilat dyshohen se janë vënë përmes aktivitetit kriminal.


Por, dy vëllezërit kanë një histori që lidhet pak vite më parë. Ata janë shpallur në vitin 2017 në kërkim policor, si autorë të dyshuar të atentatit të mbetur në tentativë ndaj biznesmenit dhe të dënuarit nga drejtësia italiane Dashamir Gjoka dhe familjes së tij mesditën e së mërkurës në zonën e “4 Rrugëve të Shijakut.


Enkel dhe Morel Kërtalli janë vëllezërit e Elvin Kërtallit 37 vjeçarit që u ekzekutua me armë zjarri në qendër të qytetit të Shijakut me 27 Gusht 2013. Elvinit dhe mikut të tij Dorian Zotaj iu bë atentati fill pasi dolën nga lokali bar loto në pronësi të tij nga 3 persona të cilët po lëviznin me një automjet tip “Audi” pa targa.


Në të njëjtën ngjarje ka qenë pjesëmarrës dhe ka arritur t’u shpëtojë fatmirësisht plumbave dhe Enkel Kërtalli. Elvin Kërtalli babai i 3 fëmijëve më herët emigrant në Itali, prej 10 vitesh ishte kthyer nga emigrimi (kryesisht në Itali dhe Zvicër) ku ishte shpallur si i padëshiruar për në vendet e zonës së Shengenit. Në momentet e para u tha se ndaj Elvin Kërtallit ishte ngatërruar shenjestër pasi objektiv ishte Zotaj. Por me thellimin e hetimeve ngjarja e cila ende nuk është zbardhur u konsiderua si hakmarrje.


Pasi Kërtalli dhe Dorian Zotaj (Beqiri) janë ndaluar dhe më pas lënë të lirë për mungesë provash të dyshuar si autorë të vrasjes së një shtetasi kosovar në Zvicër (1999) si dhe vrasjen e një të riu nga Shijaku në Torino në fillim të vitit 2000.


Pista e vetme por me autorë të papërcaktuar ishte ajo e ekzekutimit për shkak të ngjarjeve të mëparshme. Grupi hetimor dyshoi se në ngjarjen e 27 gushtit të ishin përdorur vrasës me pagesë.


Sektori i Krimeve të Rënda në policinë e Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë kanë ngritur dyshimet e arsyeshme se tentativa për vrasjen e Dashamir Gjokës të jetë bërë në shenjë hakmarrje ndaj tij. Pasi vëllezërit Kërtalli kanë dyshime se Gjoka të ketë porositur vrasjen e vëllait të tyre.


Pista e dytë ku u përqëndruan hetimet ishte ajo e konfliktit mes dajave të autorëve të fisit Xhija dhe Dashamir Gjokës për arsye ende të paqarta. Pavarësisht dokumentimit ligjor të ngjarjes me prova dhe fakte dhe sekuestrimin e makinës së autorëve, dy vëllezërit kanë qenë në kërkim.