Që prej 31 janarit e deri më tani, forca policore në shpinën e të cilëve janë fiksuar me gërma kapitale tre shkronjat “OFL” ka dërguar plot formularë për personat, të ardhurat apo pasuria e të cilëve është vendosur përmes aktivitetit kriminal.


Në nisje të operacionit “Forca e Ligjit” ka pasur një listë me 300 emra, një pjesë e të cilëve tashmë e kanë marrë formularin, disa e kanë dorëzuar e për shumë të tjerë nuk ka ende të dhëna konkrete.


Ajo që dihet ka të bëjë me disa përfundime të SPAK, që në faqen e saj zyrtare në internet ka specifikuar disa raste, kur formularët e Policisë kanë tejkaluar ligjshmërinë.


Gjithsesi, një burim për gazetën Shqip konfirmon se muajt shtator dhe tetor mund të konsiderohen “agresivë” lidhur me atë se çfarë do të ndodhë. Sepse, një listë sekrete është përpiluar tashmë dhe në harkun e pak ditëve do të jetë në duart e strukturës special OFL.


Por, kush janë personazhet e kësaj liste dhe përse konsiderohet e një rëndësie të veçantë. Burimi policor tha se bëhet fjalë për listën e të fortëve të vitit 1997, një pjesë e të cilëve janë ende në burg, por ka edhe nga ata që me “kleçkat” ndër vite të Drejtësisë kanë përfituar dhe janë duke shijuar lirinë. Mesa duket konvertimet e burgimit të përjetshëm në 25 vjet burg u kanë dhënë liri dhe kohë për të shijuar pasurinë e atyre viteve.


Lista kishte si emër të emër Met Bozin, emri i të cilit një ditë më parë doli në listën e OFL dhe që është dënuar më parë për ngjarjen e rëndë të Cërrikut, kun ë trazirat e vitit 1997 u vranë gardistët e Republikës që shkuan atje, për të vënë nën kontroll situatën.


Sipas ligjit të OFL, thelbi është lufta ndaj aseteve kriminale, me besimin që kur krimit t’i shterohen asetet kriminale dhe të ardhurat kriminale, mund të kemi sukses afatgjatë kundër tij. Dënimi penal është një dënim i pamjaftueshëm, për sa kohë pasuritë e tyre janë të paprekura.


Shkatërrimi i modelit të biznesit kriminal është rruga drejt fitimit të kësaj lufte, pasi duhet të dihet nga të gjithë që tentojnë t’i hyjnë rrugës së krimit, se sado e madhe mund të jetë pasuria e vendosur në rrugë kriminale, ajo do sekuestrohet një ditë.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.