Në listën e personave që u kërkohet pasuria dhe kanë vetëm 48 orë afat për ta bërë këtë janë edhe dy djemtë nga Tirana, me shumë famë dhe CV kriminale tejet të pasur.


Bëhet fjalë për Genc Ferhatin dhe Endrit Zela. Ndërsa i dyti më shumë njihet si një “ushtar” i Emiljano Shullazit, për Ferhatin Policia ka krejtësisht tjetër mendim.


Genc Ferhati është një nga personat më të njohur për policinë që e kishte të skeduar atë si pjesë të botës së krimit në vitet 1997-2000. Ishte koha kur rivaliteti i bandave të djemve të “Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit, për të kontrolluar territorin e shpërndarjes së heroinës dhe kokainës ishte në kulm. Por jo vetëm kaq, grupi i djemve që dikur kishin qenë thuajse të gjithë në një ishte ndarë pas një konflikti mes njerëzve të grupit.


Genc Ferhati është bërë i njohur për opinionin publik që prej vitit 1999. Në këtë kohë së bashku me Ilir Bardhin kryen atentatin e famshëm me antitank në ish-fushën e druve në Allias, ku u vranë Denis Gina e Median Shehu. Dy të vrarët, krim për të cilin është dënuar Ferhati sapo kishin dalë nga një palestër, ndërsa udhëtonin me një veturë të blinduar “Nissan Terrano”.


Edhe pse Nissan-i i blinduar ishte nga më të mirët mjete të kohës, spiralja e predhës së antitankut, nuk deshi të dinte shumë për të. Në pak momente vetura luksoze e shtrenjtë u bë shkrumb e hi. Nuk deshi shumë kohë që policia në atë kohë, të arrestonte Ilir Bardhin dhe Genc Ferhatin. Gina dhe Shehu, njiheshin si pjesë e klanit rival dhe mes tyre historia e hakmarrjes kishte nisur që në vitin 1998, kur nisën edhe vrasjet e para. Si pjesë e serialit të vrasjeve, policia kishte identifikuar vrasjen e Ervin Borovës, me 27 mars të vitit 1999, në zonën e ish- bllokut.


Në këtë kohë të trazuar duket se është ngjizur edhe e ardhmja e pakëndshme e Genc Ferhatit. Që nga vrasja e Ginës dhe Shehut, jeta e tij u lidh me qelitë e burgjeve 302 dhe 313. Edhe gjatë kësaj kohe, sipas gardianëve të burgut, qëndrimi i Ferhatit në qeli i akuzuar për një nga atentatet më të rënda dhe më spektakolare, qe e lidhur me praktikimin e fesë islame në burg. Madje ai përshkruhej si një njeri që njihte mjaft mirë islamin si besim. Pa u mbushur një javë nga atentati me antitank, Ilir Bardhi i dyshuar në atë kohë si bashkëpunëtor i Genc Ferhatit, u ekzekutua me snajper në qeli.


Për këtë krim, policia arrestoi Roland Kostaren bashkë me armën e krimit dhe Alban Danin, por Roland Kostare mori përsipër krimin. Pak muaj më vonë Alban Dani u vra në ish- pistën Iliria në plazhin e Durrësit, ndërsa Kostare u dënua për krimin.


Vrasja e mikut të tij me snajper në qeli, detyroi autoritet e burgjeve, të rrisnin masat e sigurisë për Genc Ferhatin. Afërsisht një vit pas vrasjes Genc Ferhati mori dënimin e tij me burgim të përjetshëm që u la në fuqi nga të gjitha shkallët e gjykimit.


Ndërsa Endrit Zela është një nga anëtarët e bandës së Emiljano Shullazit, që tashmë ndodhet në qeli në pritje të procesit normal, pas dorëheqjes së shumë gjyqtarëve dhe teknikave ligjore që përdorin të pandehurit, e në shumë raste edhe kërcënime direkte ndaj gjyqtarëve në shkallën e parë, apo në apel.