
Nga sot, shprehja “kush e di se sa merr ai” që jemi mësuar ta dëgjojmë në çdo ambient shoqëror që na rrethon në përditshmëri, do përdoret gjithnjë e më pak nga shqiptarët. Nuk është më nevoja që dikush të vrasë mendjen apo të pyesë lart e poshtë se sa merr tjetri, pasi në celularin e kujtdo me siguri do jetë shpërndarë dokumenti me pagat.
Një databazë me të dhënat e 637 mijë shqiptarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, shoqëruar me kartat e tyre të identitit, pozicionin e punës dhe pagën, po shpërndahet masivisht në Whatsapp.
Kjo është rrjedhja më e madhe e informacionit, pasi bëhet fjalë për të dhëna sensitive. Në listën e pagave janë emrat e shumë biznesmenëve, drejtues kompanish, si dhe persona publikë.
Ky është një skandal që me siguri ka irrituar shumë njerëz, megjithatë duke qenë një popull kurioz për gjënë e tjetrit, për disa është një “thesar” i rënë nga qielli.
Por kurioziteti i madh do t’i shkaktojë ndjesi jo të mira shumë të punësuarve, presioni psikologjik do të jetë i madh. Kjo, për arsye se shumë do jenë të pakënaqur që një shok, i afërm apo dhe koleg i tyre merr më shumë se sa ata.
Dikush e ka hapur me vrap sapo i ka rënë në dorë dokumenti, e dikush tjetër po pret një moment më të rehatshëm për t’i hyrë me themel e për të mos lënë emër pa kërkuar.
Në kafene, biseda rruge apo vende pune, në ditët që pasojnë temë kryesore diskutimi do të jetë “a e pe sa merrte filani”. Megjithatë, çudia më e madhe 3 ditë zgjat, e kur edhe këtij skandali “t’i dalë boja”, po atëherë për çfarë do flasin shqiptarët?!
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.