Të tjera detaje të rënda janë zbardhur nga vrasja tragjike e Martin Canit.

Autori i krimit, po 14 vjeç, ka publikuar armën e krimit në rrjetet sociale, pas sherrit tragjik. Në foto, shihet se 14-vjeçari ekspozon dhe thikën me të cilën i mori jetën bashkëmoshatarit. Gjithashtu ai ka publikuar pamjet e dorës së tij të plagosur, pas sherrit që e la 14-vjeçarin të vdekur. Nuk mungojnë as kërcënimet dhe ofendimet.

Martin Cani u qëllua me thikë ditën e djeshme, gjatë një sherri me disa bashkëmoshatarë. Një goditje në zemër, përveç plagëve në bark, duket se ka rezultuar fatale për të miturin, që ndërroi jetë. Ndërkohë, shoku i tij Luis Meçja, ndodhet në spital, edhe ai me plagë të shumta.

Edhe një nga autorët u plagos nga sherri me thika, teksa dy djem të tjerë 14-vjeçarë kanë rënë në pranga për ngjarjen.

Sherri mes të miturve dyshohet se ka nisur rreth një javë më parë në rrjetet sociale për motive të dobëta, teksa dje janë përleshur fizikisht edhe në oborrin e shkollës 9-vjeçare, ku kanë ndërhyrë mësues për t’i ndarë. Pas mësimit, ata janë takuar sërish, këtë herë për një sherr që do përfundonte tragjikisht.