Janë bërë publike pamjet filmike nga konflikti tragjik që i mori jetën të riut Egli Pashollari në Tiranë, dy ditë më parë. Ngjarja, që dyshohet të ketë nisur për motive të parëndësishme, përfundoi me përdorimin e një arme të ftohtë.

Sipas informacioneve paraprake, incidenti ka ndodhur rreth orës 15:40 në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, pranë një fast-foodi, ku disa të rinj janë përfshirë fillimisht në një debat verbal që më pas ka degraduar në dhunë fizike. Në momentin kur Pashollari ka dalë nga automjeti i tij, ai është përballur me tre persona.

Gjatë përleshjes, një prej tyre, i identifikuar si Gazmend Buçpapa, dyshohet se e ka goditur me thikë në shpinë. Pas plagosjes, të pranishmit i kanë dhënë ndihmën e parë pranë një lokali aty afër dhe më pas e kanë transportuar me makinën e tij drejt spitalit. Pavarësisht përpjekjeve, ai nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.

Egli Pashollari rezulton të ketë qenë më herët punonjës i sistemit penitenciar. Në vitin 2020 ai ishte përfshirë në një çështje hetimore, pasi akuzohej se kishte tentuar të fuste alkool në ambientet e paraburgimit për Emiljano Shullazin.

Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.