Për zbardhjen e një krimi në Norvegji hetuesve u është dashur plot dy vjet kohë që të gjenin provën e akuzës për një vrasje mjaft të rëndë. Që në zanafillën e krimit, dyshimet ranë mbi bashkëshortin e viktimës, por askush nuk u nxitua nga hetuesit të firmoste urdhër arresti për të. U prit koha e duhur dhe mes provave u analiza krimi dhe fajësia ishte e padisktueshme.
Po në Shqipëri, pse ndodh e kundërta. Një ditë më parë, Gjykata e Tiranës dha një vendim penal për një vrasje. Bëhej fjalë për ekzekutimin e biznesmenit Memli Begalla, i njohur edhe si Afrim Begalla.
Ky krim ndodhi në shkurt të vitit 2018 dhe atëherë u ndaluan fillimisht dy persona Ardian Serezin dhe Denis Demirin. Të dy u futën në burg për më shumë se dy vjet. Në fund të gjykimit Denis Demiri është cilësuar fajtor për vrasje dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie. Ndësra Ardian Serezi u lirua nga akuzat pasi ishte Prokuroria ajo e cila u tërhoq, pasi nuk kishte prova që ta implikonin në krim.
Deri këtu duket se gjithçka është sipas Drejtësisë së vërtetë. Por ka një problem. Ardian Serezi me të drejtën e ligjit Nr.9381, datë 28.4.2005 “Për kompensimin e burgimit të padrejtë” do të kërkojë vlerën monetare për burgimin e padrejtë që ka bërë dhe akuzën e rëndë, që e ka përjetuar për më shumë se dy vjet.
Pra, hetuesit e çështjes, oficerët e Policisë gjyqësore kanë bërë gabimin e rëndë. Dy janë arsyet, ose ata nuk kanë mundur të gjejnë provat e fajësisë çka e detyroi këtë të fundit të mos akuzojë të dyshuarin, pse fshihen apriori veprime korruptive, që në Drejtësinë Shqiptare nuk janë fare gjëra të pazakonta.
Në 11 nenet e ligjit është përcaktuar në detaje, sesa fiton një i burgosur në mënyrë të padrejtë. Ky ligj parashikon që duhet të kompensohen për burgimin e padrejtë, ose periudhën e arrestit në shtëpi, të vuajtur padrejtësisht, personat për të cilët prokuroria ka pushuar hetimet, personat për të cilët gjykata ka dhënë pafajësinë dhe ata për të cilët është vendosur pushimi i çështjes. Përfitojnë gjithashtu kompensim personat, që kanë vuajtur një dënim për një periudhë më të gjatë sesa ajo e parashikuar në vendimin gjyqësor, apo sesa afatet e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale, në lidhje me afatet e paraburgimit.
Janë parashikuar disa tarifa maksimale, që nuk mund të tejkalohen nga Gjykata në caktimin e masës së kompensimit. Konkretisht, për një ditë heqje lirie, në formën e paraburgimit, masa maksimale e kompensimit është 3000 lekë. Për një ditë heqje lirie, në formën e burgimit, masa maksimale e kompensimit është 2000 lekë. Ndërsa, për arrestin në shtëpi, masa maksimale e kompensimit është 1000 lekë/ditë.
Prej momentit të hyrjes në fuqi të ligjit nr. 49/2012, dt. 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, gjykimi i çështjeve me objekt “kompensimin e burgimit të padrejtë”, është në kompetencë të gjykatave administrative.
Sipas një shifre të bërë publike zyrtarisht nga autoritetet financiare të vendit nga viti 2016 e deri më tani për burgime të padrejta janë paguar nga taksapaguesit shqiptarë plot 8 milionë euro për plot 690 vendime.