Ditët e qeta të pushimeve të verës në Bruksel po trazohen nga një përplasje e pazakontë mes dy institucioneve kryesore të tij; legjislativit dhe ekzekutivit.
Parlamenti Evropian mund të padisë Komisionin për dështim në ngritjen e një mekanizmi dhe formule ndarje të fondeve të BE-së për vendet anëtare dhe joanëtare të unionit me kushtin e respektimit të të drejtave themelore të unionit.
Në qershor, Parlamenti miratoi një rezolutë në të cilën Komisionit iu dha një afat kohor prej dy muajsh që të hartonte mekanizmin e ri të ndarjes së fondeve. Ky afat përfundon mesnatën e së mërkurës.
Sipas përmbajtes së rezolutës të miratuar me votimin e shumicës së eurodeputetëve, Komisioni kërcënohet me padi nëse dështon të adresojë shqetësimin e Parlamentit.
Qëllimi kryesor është aktivizimi i “instrumentit kushtëzues” të shpërndarjes së fondeve dhe ka në shënjestër vendet anëtare të BE-së, si Hungaria dhe Polonia që po akuzohen për shkelje të vlerave themelore të unionit.
Instrumenti u prezantua në dhjetor të vitit të kaluar, gjashtë muaj pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord për një fond rimëkëmbjeje nga Covid prej 750 miliardë eurosh. Ky fond, së bashku me paketën e vendosur nga buxheti vjetor i BE-së kap një vlerë prej 2 trilionë eurosh, para që duhet të disbursohen për vendet anëtare brenda shtatë viteve.
Ky instrument hyri në fuqi në muajin janar. Parlamenti Evropian ka shtyrë, deri më tani pa sukses, Komisionin që ta zbatojë. Për këtë qëllim në fund të qershorit miratoi edhe rezolutën kërcënuese ndaj ekzekutivit të BE-së.
Pas miratimit të rezolutës, Presidenti i PE, David Sassoli i dërgoi Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen një letër ku shprehte keqardhjen e institucionit që drejtonte për pasivitetin e Komisionit në zbatimin e instrumentit.
Komisioni sfidoi thirrjen e PE dhe të martën, zëdhënësi Balazs Ujvari tha se nuk kishte ndërmend që ta zbatonte këtë instrument, që e quajti mekanizëm të “fjalës së fundit”.
“Nuk do të vazhdojmë përpara deri sa të sigurohemi nga të gjitha kushtet dhe mjetet se ky është instrumenti i duhur dhe do të funksionojë në këtë drejtim”, tha ai.
Justifikimi i Komisionit zor se do të kënaqë eurodeputetët. Në rezolutën e qershorit ata paralajmërojnë rrugë ligjore ndaj KE duke thënë se zbatimi i instrumentit nuk mund të jetë subjekt interpretimesh.
Artikulli 264 i lejon tashmë Parlamentit që të ndërmarrë aksione ligjore ndaj Komisionit para Gjykatës së Drejtësisë në Luksemburg, megjithëse von der Leyen pretendon se ky artikull nuk vlen për përplasje të këtij lloji.