Eduart Kurti është në listën e 5 të parëve, të shpallur si ndër më të kërkuarit e një liste me 50 persona, për të cilët Policia e Shtetit ka ngritur në këmbë njësitë e kërkimit policor brenda dhe jashtë vendit. Eduart Kurti është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve, krim i ndodhur në 1 dhjetor të vitit 2012.
Sipas Policisë ai konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm dhe krimi i kryer prej tij është konsideruar si një ndër krimet, që ekspertët e policisë e cilësojnë të rrallë për nga mënyra e kryerjes.
Ngjarja për të cilën ai është shpallur fajtor nga Gjykata, ka ndodhur në rrugën "Irfan Tomini", ku ai ka ekzekutuar me plumb në kokë dy vëllezërit Iglent e Sokol Haxhialiu brenda makinës së tyre. Menjëherë pas vrasjes, ai është larguar duke u ndihmuar nga një person tjetër dhe që nga ai moment, Policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij.
Dy vëllezërit që u ekzekutuan me plumba në kokë mbrëmjen e datës 1 dhjetor 2012 në Tiranë (Iglent Haxhialiu, 44 vjeç, dhe Sokol Haxhialiu, 41 vjeç që njihej edhe me emrin Nikola) ishin pronarë të disa bizneseve në Tiranë dhe në Vlorë.
Vëllezërit nga Berati prej disa vitesh jetonin në Tiranë në zonën e ish-Bllokut dhe kishin në pronësi 3 apartamentet e katit të gjashtë të një pallati. Ata posedonin edhe një hotel luksoz në zonën e Dhërmiut në Vlorë, paratë për ndërtimin e të cilit dyshohet se ia kishin marrë borxh, autorit të dyshuar të ngjarjes, Eduart Kurti.
Disa muaj përpara kryerjes së krimit, Kurti kishte nisur t’ua kujtonte borxhin dhe interesin prej 5 për qind të një shume prej 200 mijë dollarë që ata i kishin marrë hua. Për këtë arsye dyshohet të ketë ndodhur edhe krimi i dyfishtë, në makinën me të cilën udhëtonin vëllezërit. Ndërkohë, edhe sot e kësaj dite Eduart Kurti vijon të jetë i lirë, ndonëse është dënuar me "burgim të përjetshëm".