Pas disa muajsh në arrati, Ylli Zalla, 49 vjeç, është vënë në pranga gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit dhe forcave speciale RENEA në Zallë të Fushë-Krujës.
Forcat e policisë kishin siguruar informacion për vendndodhjen e 49-vjeçarit dhe e lokalizuan në një banesë pranë shtëpisë së tij. Sipas të dhënave paraprake, Zalla qëndronte i fshehur prej një kohe të gjatë në këtë objekt.
Në momentin e ndërhyrjes së RENEA-s, ai është gjetur i armatosur me një kallashnikov dhe municion. Operacioni këtë herë përfundoi me arrestimin e tij, pas disa tentativave të mëparshme të policisë për ta kapur.
Tritol në shtëpinë e tij vetëm një ditë përpara arrestimit
Kapja e Zallës vjen vetëm një ditë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë në Zallë të Fushë-Krujës. Më 16 gusht, në banesën e tij u vendos lëndë plasëse.
Në momentin e shpërthimit, 49-vjeçari vazhdonte të ishte person në kërkim. Policia po heton për të identifikuar personat që qëndrojnë pas vendosjes së tritolit dhe për të zbuluar motivet e ngjarjes.
Në qershor i shpëtoi RENEA-s duke u futur në pyll
Zalla kërkohej nga autoritetet që prej nëntorit të vitit 2025. Një operacion i gjerë për kapjen e tij ishte zhvilluar edhe në qershor të këtij viti, me pjesëmarrjen e Policisë së Tiranës, Komisariatit të Krujës dhe RENEA-s.
Në atë rast, 49-vjeçari kishte diktuar praninë e forcave të rendit dhe ishte larguar drejt një zone të pyllëzuar. Errësira dhe terreni e kishin ndihmuar t’i shpëtonte rrethimit.
Kontrollet në banesën e tij çuan në sekuestrimin e një pistolete të mbushur, municioneve, një telefoni celular dhe një pajisjeje për zbulimin e frekuencave. Një 55-vjeçar u arrestua gjatë të njëjtit operacion, pasi dyshohej se kishte paralajmëruar Zallën për praninë e policisë dhe e kishte ndihmuar të largohej.
Hetimet pas atentatit në Rinas çuan te Ylli Zalla
Emri i 49-vjeçarit doli sërish në skenë gjatë hetimeve të nisura pas atentatit të nëntorit 2025 në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Kontrollet e zhvilluara më pas në Fushë-Krujë çuan policinë në ambiente të lidhura me Zallën, ku u gjetën sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe lëndësh plasëse.
Hetuesit ngritën fillimisht dyshime se ai mund të kishte pasur rol në ndihmën e autorëve të atentatit. Një nga pistat që u verifikua ishte mundësia që automjeti i përdorur në sulm të kishte dalë nga ambiente të lidhura me të.
Megjithatë, ekspertizat e kryera mbi armët e sekuestruara përjashtuan që ato të ishin përdorur në atentatin e Rinasit.
Mijëra fishekë, armë dhe eksplozivë të zbuluar në nëntor
Kontrolli i kryer në nëntor 2025 zbuloi një arsenal të konsiderueshëm. Policia sekuestroi tre kallëpe tritoli, 12 granata dore, eksplozivë të pajisur me kapsolla detonatore, ndezës, dy automatikë dhe dy pushkë.
Në të njëjtat ambiente u gjetën gjithashtu rreth 6 mijë fishekë, pjesë dhe krehëra armësh, si dhe afërsisht dy kilogramë kanabis.
Zbulimi i arsenalit u bë një nga arsyet kryesore për shpalljen e Zallës në kërkim.
Një tjetër bazë zbulohet pranë shtëpisë
Vetëm pak muaj më vonë, në shkurt 2026, hetuesit zbuluan një tjetër bazë pranë banesës së 49-vjeçarit.
Inventari i sekuestruar ishte edhe më i madh: 24 kallëpe tritoli, 11 granata, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpe dinamiti dhe 27 djegore.
Policia gjeti gjithashtu armë zjarri, dy silenciatorë, rreth 9 mijë fishekë dhe uniforma policie. Në ambientet e kontrolluara u sekuestruan edhe rreth gjashtë kilogramë lëndë e dyshuar Cannabis Sativa.
Sasitë e mëdha të armëve dhe eksplozivëve të zbuluara gjatë operacioneve bënë që autoritetet ta konsideronin Zallën person me rrezikshmëri të lartë dhe të vijonin kërkimet për kapjen e tij.
Pas muajsh kërkimesh dhe një operacioni të mëparshëm nga i cili kishte mundur të largohej, 49-vjeçari është lokalizuar dhe arrestuar nga RENEA pranë banesës së tij në Zallë të Fushë-Krujës.
