Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen një operacion ushtarak surprizë në Venezuelë gjatë të cilit forcat amerikane sulmuan bazat ushtarake dhe arrestuan Presidentin Nicolás Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores.
Ai u arrestua dhe u dërgua në New York, ku pritet të përballet me akuza federale për trafik droge dhe “narco-terrorizëm”. SHBA-ja njoftoi se do të administronte Venezuelën përkohësisht derisa të arrihej një tranzicion politik. Kjo ndërhyrje ka shkaktuar dëmtime, reagime të forta ndërkombëtare dhe tensione për ligjshmërinë e sulmit, me vende të shumta që e dënuan atë si shkelje të drejtës ndërkombëtare. Ndërkohë, Gjykata Supreme e Venezuelës emëroi Delcy Rodríguez si presidente të përkohshme.
Një deklaratë e këtij të fundit e bërë disa muaj më parë për shqiptarët është rikthyer përsëri në vëmendje.
Disa muaj më parë, Maduro akuzoi drejtpërdrejt mafian shqiptare, në bashkëpunim me autoritetet amerikane, se po vepronin për destabilizimin e qeverisë së tij, akuza të cilat janë mohuar nga SHBA-të.
“Janë terroristë! Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin ka dërguar njerëzit e saj për të vendosur eksplozivë këtu në Venezuelë”, tha Maduro në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
