
Qeveria ka ndërhyrë në buxhetin e shtetit për këtë vit përmes një akti normativ, që rrit deficitin dhe barrën e borxheve me rreth 100 mln dollarë në kurriz të qytetarëve, pasi nga rishikimi i tij nuk ndryshojnë treguesit financiarë për të ardhurat, që do të thotë se nuk pret rritje shtesë të tyre.
Por pse kjo ngutje për të ndryshuar buxhetin përmes një akti normativ? Në relacion ndërhyrja arsyetohet si urgjente dhe thuhet se vend kryesor zë garantimi i përmbushjes me sukses së fushatës së vaksinimit.
“Ky rishikim i buxhetit 2021 propozohet t’i nënshtrohet procedurës së aktit normativ, aspekti i nevojës dhe urgjencës të së cilit lidhet me financimin e disa politikave prioritare, ndër të cilat vend kryesor zë edhe garantimi i përmbushjes me sukses së fushatës së vaksinimit anti-COVID19. Kjo, sa kohë që risktrukturimi i kabinetit të ri qeveritar pritet të ndodhë jo më herët se muaji shtator 2021, dhe rrjedhimisht është e nevojshme të krijohen parakushtet për përballimin nga Qeveria aktuale të nevojave eventuale për financim buxhetor, gjatë këtij intervali kohor”, thotë relacioni.
Por, megjithëse arsyeja kryesore citohet pandemia dhe fushata e vaksinimit, për këtë qëllim shkojnë rreth një e dhjeta e kësaj shume, ndërsa pjesa tjetër e parave do të shkojnë për investime e financime jo dhe aq urgjente, si blerja e dronëve turq, projekte infrastrukturore të debatueshme, përfshirë këtu edhe një fond prej 900 mln lekësh për Bashkinë e Tiranës për projektin e teatrit të ri kombëtar.
Akti normativ përcakton financimin me 1 miliardë lek për pajisjen me drone në vlerë 1 miliardë lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.
Një miliardë të tjera do të shkojnë për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me qëllim financimin e nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT.
900 mln lekë i shkojnë Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, megjithëse kjo çështje pret ende një vendim nga Gjykata Kushtetuese. Një shtesë prej gjysmë miliardi përcaktohet për financimin e qirave të personave të pastrehë nga tërmeti i 2019.
200 mln lekë është parashikimi për mbulimin e shpenzimeve të ngritjes dhe funksionimit të grupit të përfaqësuesve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Shqipëria do të ulet vitin tjetër.
Kjo është lista e shpenzimeve korente, ndërsa pjesa tjetër janë shpenzime kapitale. Akti normativ përcakton në këtë pjesë 4.8 mld lekë për Unazën Veriore të Tiranës dhe ndërtimin e loteve 1 dhe 2 të Unazës së Re, nga Sheshi Shqiponja deri te Bulevardi “Migjeni”. Në këtë pjesë parashikohen edhe mbi e nënkalime, për të cilat ka nisur puna.
Tre miliardë lekë thuhet se do të shkojnë për projektet në vazhdim të programeve të zhvillimit, por pa përcaktuar më shumë se për çfarë projektesh bëhet fjalë dhe kostoja e tyre.
2.5 miliardë lek thuhet se do të shkojnë për projektet që janë nisur në sektorin e ujësjellësit me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të popullsisë.
Një miliardë lekë do të shkojnë për ndërtimet në By Pass-in e Vlorës, që sipas relacionit “ka një ecuri të mirë dhe pritet të tejkalojë realizimin e miratuar për këtë vit”.
Një miliardë lekë shtesë shkojnë projektin në vazhdim me financim të huaj “IPARD II”, bazuar në ecurinë e mirë dhe pritshmëritë për realizimin e tij.
Në fund, 200 mln lekë do të shkojnë për pagesën e kësteve për ndërtimin e godinës së Polit të Drejtësisë.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.