Në rastet e tragjedive të tilla është e pamundur të mos përballesh me situata, që nuk do kishe kurrë dëshirë ti ndaje me të tjerë, ti përjetoje, e aq më keq t’i raportoje.
Kjo ndodh me gazetarët, që mes profesionit të tyre, por edhe ndjenjës njerëzore, shpesh u duhet të mbysin emocionet. Por, gjatë raportimeve të tyre këtë të martë, pas tërmetit tragjik me viktima e shumë të plagosur, thuajse ka qenë e pamundur të ishe thjesht një raportues për ngjarjen.
Muhamet Veliu, Ilir Paço, Alma Demiraj dhe Anila Hoxha janë përlotur teksa raportonin nga zonat e prekura të tërmetit, e kur u duhej të raportonin për Top Channel e Top News me pamje nga vendngjarje, mes njerëzve që kërkonin të afërmit e tyre.
U duhej të përballnin thirrjet për ndihmë, e fëmijë që ndodheshin nën rrënoja. Ndaj, nuk kishte sesi të mos përlotej gazetari Muhamet Veliu, kur u nxor nga rrënojat e pallatit Saimir Greku, për të cilin dhjetëra forca ishin vënë në kërkim. Madje edhe babai i tij qëndronte aty, me orë të tëra, duke shpresuar se djali do të mund të dilte i gjallë.
E njëjta situatë ndodhi edhe me Alma Demirajn që raportoi nga Spitali Ushtarak, e ku dhimbja ishte e madhe për ata që prisnin të shpëtonin të afërmit e tyre. Anila Hoxha nga Durrësi e pati thuajse të pamundur të mos përlotej teksa i duhej të raportonte për një vilë që u shemb e në themelet e saj mbetën anëtarët e një familjeje të tërë.
Në studion e lajmeve gazetari Ilir Paço nuk e kapërdiu faktin që një fëmijë u gjet e pajetë në rrënojat e pallatit të shembur në Durrës, apo që një studente mjekësie la pa realizuar ëndrrën e saj për t’u bërë mjeke.
https://www.youtube.com/watch?v=9RsDFhkVRos&feature=youtu.be&fbclid=IwAR3PYMp9PV9AfNHfF7kp8eZJWCmmvOwQ-WyQo3Ij6E8fi-P38QYIbIX8nWU