Ka disa njerëz, fati i të cilëve shkruhet përpara se ata të lindin. Jo si një paracaktim mistik, por si një kod gjenetik dhe kulturor që u peshon mbi supe jo pak.. rëndë. Për Artur Zhejin, ky kod kishte emrin e një trungu të hershëm intelektualësh.

Për herë të parë, një vit pas ndarjes nga jeta të Artur Zhejit, në ‘Exclusive’ në Top Channel, ka folur edhe bashkëshortja e tij, Klodi Zheji.

Ajo është shprehur se Zheji nuk ka dashur të jetë thjesht prezent tek fëmijët e tij, por ka dashur që prezenca e tij të jetë me kuptim te jeta e tyre.

Bashkëshortja e publicistit shtoi se ai ka qenë një baba shok, një baba mik, një baba vëlla, një baba motër, një baba baba.

“Arti në shtëpinë tonë ka qenë gjithmonë një prezencë e heshtur dhe aspak një dekor. Por përtej idealizmave, bashkëjetesa mes dy artistëve jo gjithmonë është një duet. Mund të jenë dy zëra të një polifonie, dy zëra të ndryshëm, por që në fund të dy i qëndrojnë një harmonie të përbashkët, një qëllimi.

Ndoshta kjo ka qenë dhe gjëja më e bukur te raporti jonë, sepse asnjëri nga ne të dy nuk është munduar që ta pushtojë tjetrin. Asnjëherë nuk jam munduar që ta zvogëlojë atë, ta sjell tek vetja ime. Por thjesht ta dua, ta ndjek, ta adhuroj. Dhe kjo ka thjeshtuar gjithçka që ne ndërtuam më pas, familjen, fëmijët”, shprehet Klodi.

Klodi ka treguar edhe se si është njohur me Zhejin, duke u shprehur se rastësia e solli që ne të takoheshim të dy tek e njëjta godinë.

“Dhe mbaj mend që bënte emisionet mbi Kosovën në atë periudhë, por unë nuk i kisha parë, unë sa isha kthyer në Shqipëri. Pastaj rastësia e solli që ne të takoheshim të dy tek e njëjta godinë. Unë punoja pianiste në Teatrin e Operas në atë periudhë, ai punonte tek TVA.

Dhe nuk ka qenë thjesht prezent, nuk ka dashur të jetë thjesht prezent tek fëmijët e tij, por ka dashur që prezenca e tij të jetë me kuptim te jeta e tyre. Ka qenë një baba shok, një baba mik, një baba vëlla, një baba motër, një baba baba. Ka qenë të gjithë ngjyrat e një njeriu dhe me një shpirt të pazëvendësueshëm për ne”, u shpreh bashkëshortja e Zhejit.

Klodi ka ndarë edhe mesazhin e fundit për Zhejin, të cilin nuk mundi t’ia thoshte para se publicisti të ndërronte jetë.

“Çfarë do të doja t’i thosha.. dhe që nuk pata mundësi t’ia thosha… Faleminderit, që më ke dashur aq shumë dhe më zgjodhe vetëm mua të isha pjesë e jetës tënde”, u shpreh Klodi.