Partia Socialiste zhvilloi dje Asamblenë e saj kombëtare, një mbledhje e cila solli jo vetëm rikonfirmimin e strukturave kryesore, por edhe mesazhe të qarta nga kryeministri Edi Rama për të ardhmen politike të vendit.
Ai zgjodhi dje ekipin me të cilin do të drejtojë vendin 4 vitet e ardhshme. Në kabinetin e ri qeveritar, u ndryshuan 7 anëtarë dhe u afruan 7 emra të rinj. 8 të tjerë janë rikonfirmuar në detyrë ose kanë ndryshuar Ministri.
Por jo të gjithë e morën lajmin njësoj, madje mimikat e fytyrës së disa prej tyre u bënë dhe virale në rrjet. E para që tërhoqi vëmendjen me reagimin e saj, ishte Ogerta Manastirliu, e cila duke se ngriu nga lajmi se ajo do të ishte kandidatja e PS për kreun e Bashkisë Tiranë.
Po ashtu reagim epik, ishte dhe ai i ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari. Ky i fundit, kërkonte të merrte ajër nga lajmi, duke prekur vazhdimisht jakën e këmishës dhe duke mbyllur sytë herë pas here.
Mirela Kumbaro, që u zgjodh Ministre e Arsimit, herë pas here shihej me duart në kokë. Ndërsa disi më e qeshur ishte ministrja Ibrahimaj.
Një reagim modest pati edhe Albana Koçiu, e cila mori postin e rëndësishëm të ministrisë së Brendshme.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se Partia Socialiste duhet të qëndrojë në krye të vendit edhe për dekada, duke përmendur shifra konkrete deri në vitin 2050. Ai ironizoi idenë se partitë politike duhen ndërruar çdo katër vjet, duke e quajtur këtë “një përrallë për t’u lënë tregimtarëve”.
Sipas Ramës, stabiliteti politik dhe vizioni afatgjatë janë garancia më e madhe për zhvillimin e Shqipërisë. “Është detyrimi ynë ta shohim Partinë Socialiste në krye jo vetëm në vitin 2030, por edhe në 2040 dhe 2050”, tha ai.
Kryeministri nënvizoi se turizmi dhe imazhi i Shqipërisë kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, por paralajmëroi nevojën për një qasje të re ndaj sektorit të ndërtimit. Ai foli për Rilindjen Urbane 2.0, një koncept që sipas tij duhet të zbatohet në çdo sektor, duke vendosur kontrolle më të forta, intensitet më të ulët ndërtimi jashtë qyteteve dhe sanksione të ashpra për shkelësit.
“Ne do të ndërtojmë në zona me përparësi për zhvillimin e turizmit, por gjithmonë me një kujdes të ri dhe me standarde më të larta”, tha Rama