
Dy ditë pas vendimit për të hapur kapitullin e radhës për Serbinë në negociatat e saj të anëtarësimit në BE, Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë shqetësuese në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut nga ana e Beogradit dhe lidhjet e ngushta të tij me Pekinin.
“PE shpreh shqetësimin mbi rritjen e vazhdueshme të ndikimit të Kinës në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor. I bën thirrje Serbisë qëtë forcojë standarde ligjore për aktivitetet e sipërmarrjet kineze dhe thekson se ligjet vendase që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve dhe mjedisin duhet të zbatohet edhe për kompanitë kineze që operojnë në Serbi”, thuhet në rezolutën e PE.
Reagimi i Brukselit pasoi denoncimet për abuzime me të drejtat e njeriut të mbi 500 vietnamezëve që punojnë në një fabrikë kineze të prodhimit të gomave në veri të Serbisë. Denoncimet përfshijnë akuzat se një pjesë e këtyre punëtorëve janë trafikuar me forcë nga vendet e tyre, ndërsa në Serbi, kompania kineze u ka sekuestruar pasaportat dhe i përdor si skllevër në fabrikë me dijeni të autoriteteve vendase.
“Ka pasur akuza serioze ndaj kompanisë kineze të prodhimit të gomave, Linglon Tire në fabrikën e saj në veri të Serbisë, që lidhen me kushtet e punës për 500 punonjës nga Vietnami. Akuzat përëfshijnë shkelje të të drejtave të njeriut, trafik njerëzor dhe kushte çnjerëzore trajtimi, përfshirë sekuestrimin e pasaportave dhe shkelje të tjera të ligjit serb të punës”, thuhet në rezolutë.
Rezoluta dënon përdorimin e forcës gjatë protestave nga aktivistët e mbrojtjes së mjedisit dhe grupet huligane të tifozëve që mbrojnë muralet e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç.
“Incidentet për këto murale kanë nxjerrë në pah lidhjet e ngushta mes huliganëve dhe policisë. PE shpreh shqetësimin për mungesën e dukshme të vullnetit të autoriteteve për të hequr përfundimisht muralen”, thuhet në rezolutën e PE.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.