Kryeministri Edi Rama tha sot nga Njësia nr. 2 në takimin me banorët për të shpjeguar buxhetin e vitit 2026 për Tiranën dhe Shqipërinë, se nga 1 janari rroga minimale do të ndryshojë dhe do jetë 500 euro, kurse deri në fund të mandatit do shkojë deri në 700 euro.

Gjithashtu ai konfirmoi se do rriten edhe rrogat e administratës në të gjithë sektorët dhe veçanërisht ato në arsim, shëndetësi, Polici, ushtri dhe më gjerë. Dhe të gjitha këto rritje sipas tij, nuk do të ketë taksim mbi fitimin, siç bëhet në vendet e tjera të rajonit apo Evropës.

Për çështjen e pensioneve Rama tha:

“Kjo rritje pensionesh nuk ka lidhje me indeksimin. Indeksimi do vazhdojë të bëhet në mënyrë të përvitshme. Dhe duk filluar rritjen e mbështetjes muaj pas muaji për pensionistët, do kemi edhe indeksimin. Dhe indeksimi parashikohet që në pak vite të arrijë në vlerën 50 mln euro”.

Kurse për pagën minimale, ai shpjegoi se prek sektorin publik dhe privat dhe jo vetëm këtë të fundit, teksa shtoi se do bëhet edhe përshkallëzimi apo kategorizimi sipas profilit dhe sektorëve në këtë rritje.

“Edhe rroga minimale nga 1 janari do shkojë 500 euro. Nuk do jetë rritje e thjeshtë, por siç e kemi thënë, me premtimin që bëmë para se të merrnim 83 mandate, e themi se në fund të mandatit paga minimale do shkojë 700 euro. Kjo nuk është për administratën, por për sektorin publik dhe privat. Kjo përcaktohet me ligj, se në Shqipëri nuk do ketë pagë nën 500 euro”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama shpjegoi edhe çështjen e rritjes së pagave në sektorin shtetëror:

“Po ashtu do rriten pagat për të gjithë punonjësit, sepse kërkon që të bëhen edhe përshkallëzime. Do rriten pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, policisë, ushtarakëve dhe punonjësve të tjerë. Siç e kemi parë deri më sot, do e shohim edhe në sektorin privat këtë rritje, edhe pse ato s’i rrit qeveria por provat, por ka ndodhur dhe do ndodhë përsëri, do e shohim. Të gjitha këto do bëhen pa prekur dhe pa rritur asnjë taksë. Kemi marrë zotim dhe do i qëndrojmë atij zotimi, që Shqipëria të jetë i vetmi vend në rajon, se në Evropë as bëhet fjalë se taksat janë ku e ku, ku ne bëhemi një vend pa taksë mbi fitimin. Edhe ndaj biznesit të vogël, ku biznesi do paguajë vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, kontributet, që janë të domosdoshme”.