U mor me entuziazëm shumë të madh nga ana e Tiranës zyrtare një iniciativë e ministrit të Jashtëm në detyrë, për të bashkuar partitë shqiptare të Luginës së Preshevës në një listë elektorale në zgjedhjet parlamentare serbe të 21 qershorit.


Madje në orët e vona të së dielës dhe mëngjesit të së hënës u hodh në eter lajmi se shqiptarët e Preshevës do të kenë 4 deputetë të parlamentin e Serbinë.


Sot që flasim janë 2 deputetë të sigurt dhe ende po bëhet lufta në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për deputetin e tretë. Realisht edhe në të shkuarën, shqiptarët kanë pasur 2 deputetë në Parlamentin prej 250 vendesh të Beogradit.


Një numër më i madh natyrisht që do të ishte një risi, por potencialisht nuk se do të përbënte një fuqi reale politike.


Gjithsesi, faktori politik shqiptar në Preshevë, nuk se ishte sërish i bashkuar; një parti e vjetër në ato anë; Partia Demokratike e Ragmi Mustafës, ish-kryetar i Komunës së Preshevës, i bojkotoi zgjedhjet.


Në Preshevë, ku faktori shqiptar është natyrisht më afër zhvillimeve dhe vibron më fort politikën atje, është në një dyzim në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e së dielës, që u bojkotuan nga e gjithë opozita reale e Aleksandër Vuҫiҫit. Madje ka nisur edhe analiza se a ishte mirë pjesëmarrja kur edhe mund të bojkotohej.


Ardita Sinani, një politikane e re, anëtare e partisë së parë politike që u themelua në Luginë pas rënies së komunizmit, asaj të Veprimit Demokratik të Riza Halimit, mbajti një deklaratë shumë të ҫuditshme, që u lexua edhe si një thumb ndaj Tiranës zyrtare.


Zonja Sinani, e cila shërbeu dhe si kryetare e Preshevës për një kohë, deklaroi në një status të saj, se vendimi i tyre erdhi pas “kërkesës preҫize të Tiranës zyrtare”.


“Angazhimi personal i ministrit Cakaj, kërkesat e vazhdueshme të Presidentit, Qeverisë së Shqipërisë dhe ë Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje nuk na lanë komoditetin e mos përfilljes së dy shteteve tona amë!”, shkruan Ardita Sinani.


E këtu vjen pikëpyetja, a ja vlejti barra qiranë për një betejë kaq të angazhuar kur në fund fruti është po i njëjti?


Shqiptarët e Preshëvës, Bujanocit e Medvegjës, më shumë se përfaqësimi në Parlamentin e Serbisë, kanë problemin e mos respektimit të të drejtave që një pakicë duhet të ketë.


Edi Rama, në vitin 2014, kur vizitoi Preshevën kërkoi që shqiptarët e Luginës të kenë të njëjtat të drejta si serbët e Kosovës: pra vende të përcaktuara në Parlament, pushtet vendor, administratë dhe fonde shtetërore për jetesën e shqiptarëve.


E ky standard u harrua dhe nuk u shtrua më në tryezat e bisedimeve Tiranë-Beograd.


Po ta krahasosh këtë sjellje me Beogradin në Shqipëri, ku ka shpikur pakica edhe aty ku s’ka dhe kujdeset për to në mënyrë të posaҫme, kupton pak sesi mund të sillej Shqipëria zyrtare në Preshevë.


Në Libofshë të Fierit janë dy fshatra, ku Beogradi ka krijuar nga hiҫi një pakicë kombëtare të paqenë dhe ku trajtohen si minoritet klasik.


Kolkondasi dhe Rrethlibofsha, janë dy fshatra ngjitur me Libofshën dhe pjesë e administrimit të saj. Disa vjet më parë, në fshatin Rrethlibofshë, u sajua një shoqatë e pakicës serbe në Shqipëri dhe u çel për këtë një shkollë në gjuhën serbisht.


Autoritete të Ambasadës serbe në Tiranë, por edhe titullarë serbë nga Beogradi, shkojnë e vijnë me premtimet se banorët myslimanë të kësaj “pakice serbe” mjafton të mbarojnë këtu shkollën bazë, të tjerat i kanë  gratis në universitetet e Beogradit…


“Serbët” e  Rrethlibofshës janë pasardhës të muhaxhirëve boshnjakë dhe nga Sanxhaku, të shpërngulur me forcë pikërisht nga çetnikët serbë dhe të ardhur ndër këto fshatra në vitet 1926-30 të shekullit të shkuar.


Shumica e tyre kanë rrënjë shqiptare, flisnin shqip mes tyre por për nevoja zyrtare flisnin a shkruanin edhe serbisht.


Në shtatorin e vitit 2010 në Libofsh të Fierit në Shqipëri është bërë përurimi i një shkolle me mësim në gjuhën serbe, e cila organizoi kurse në gjuhën serbe.


Disa nga mbiemrat të kësaj popullate të zonës: Duleviç, Maniç, Makliç, Kërliç, Javllaniçar etj. janë mbiemra të cilët i hasim vetëm tek popullata boshnjake -muslimane në Sanxhak të cilët janw më prejardhje shqiptare.


Nisma për hapjen e shkollave serbe është bërë me aktivitetet e shoqatës famoze serbo-shqiptare “Moracca – Rozafa” me seli në Shkodër. Kjo shoqatë është e njohur edhe për organizimin e njohjeve dhe martesave të vajzave të reja shqiptare në Serbi.


Ndërkaq, në Preshevë, pikërisht shkollimi dhe tekstet mësimore janë një problem i madh. Shesh janë konfiskuar nga policia dhe arrestuar njerëz që kanë sjellë tekste shqip në Preshevë.


Pa folur për problemin e diplomave shqiptare që ende nuk njihen në Serbi.


Pa folur për lobimin e duhur në BE që Presheva të marrë investimet e duhura që shqiptarët e Luginës të mos e braktisin atë vend siҫ po ndodh prej vitesh e vitesh. Medvegja, një prek komunave të Luginës së Preshevës, ka shqiptarë në pakicë sot.


Hemorragjia vijon pandalur. Ja këto janë problemet, por natyrisht që ka edhe më. Qoftë edhe duke u ndalur tek politika që si gjithkund është e fragmentarizuar dhe e përҫarë, ku ҫdo parti përfaqëson interesat e kryetarëve e në fund kohezioni politik shitet për interesa të ngushta. Po ambasadori shqiptar në Beograd sa herë shkon në Preshevë? Ajo që ndodhi me zgjedhjet natyrisht që nuk duket se përbën histori suksesi, edhe pse ҫdo përpjekje për koordinim është pozitive, më shumë se spektakli duhen akte konkrete dhe që vlejnë në kohë.