Deklaratat e ministres së Brendshme për uljen e kriminalitetit dhe rënien e numrit të vrasjeve janë hedhur poshtë nga faktet e 20 ditëve të fundit, ku vendi është tronditur nga një valë ngjarjesh të dhunshme.
Nga veriu në jug, Shqipëria është përfshirë nga episode të përgjakshme që kanë marrë jetën e të paktën shtatë personave dhe kanë plagosur dy të tjerë, duke krijuar një panoramë krejt të kundërt me atë që paraqitet zyrtarisht.
Vetëm në harkun kohor nga 22 tetori deri më 11 nëntor, janë regjistruar një sërë ngjarjesh që kanë tronditur opinionin publik:
22 tetor – Dy të rinj u vranë në Manëz, vetëm pak metra larg stacionit të policisë.
28 tetor – Një ditë e mbushur me krime: në Shkallnur të Durrësit, Marjan Kodheli vrau babain e tij; në Berat, një debat për një kalë përfundoi me një vrasje, ndërsa autori Kosta Mema (Kostandin Hoxha) ishte i dënuar me 25 vite burg për një krim të mëparshëm; në një tjetër rast, një kuzhinier vrau kolegun e tij në një lokal. Po atë ditë, në Shkodër, një shpërthim tritoli plagosi rëndë një person.
1 nëntor – Në fshatin Gjorm të Vlorës, një 36-vjeçar u ekzekutua nga kushëriri i tij Bertil Alliaj, i dënuar më parë me 35 vite burg për “Masakrën e Çoles”.
11 nëntor – Atentati mafioz në Rinas shtoi më tej bilancin e dhunës.
Këto ngjarje, që përfshijnë konflikte mes grupeve kriminale, hakmarrje të vjetra dhe persona të armatosur që lëvizin lirshëm, hedhin dyshime serioze mbi realizmin e statistikave zyrtare.
Ndërsa qytetarët ndihen çdo ditë e më pak të sigurt, Ministria e Brendshme vijon të përshkruajë një tablo optimiste, e cila duket gjithnjë e më shumë si një realitet virtual, i shkëputur nga përditshmëria e dhunshme që përjetojnë qytetet shqiptare.
