Ditët e fundit duket sikur karantina është shkelur shumë sepse qytetet janë mbytur nga lëvizjet, makinat janë shtuar dhe policia ka mbyllur njërin sy.
Shqiptarët e morën lehtë lajmërimin e lehtësimit të masave, duke dale orë pa orë, duke u afruar dhe prekur nëpër dyqanet dhe marketet ku bëjnë pazar. Gjithë eksperienca e një vendi që jetoi 50 vite në karantinë si askush tjetër në botë, nuk vlejti asnjë ditë. As fakti që Shqipëria vendosi këto tri javë karantinën më të ashpër në botë, sërish kjo nuk mjaftoi.
Shqiptarët u sulën si të limaksur nëpër rrugë, nëpër dyqane, me kembë, me biçikleta, me makina, duke bërë humor me faktin që nuk na kap coronavirusi…siç është rasti i Shkodrës. Ditët e para, shkodranët nuk kishin asnjë rast ose më pak raste se të gjitha qytetet e tjera. Ata nuk e ndërprenë shëtitjen e pasdites, duke bërë gara me biçikleta në sy të policisë. Për shkak të kesaj lehtësie naive dhe totalisht të papërgjgjshme, sot Shkodra ka më shumë të prekur se Durrësi, Fieri dhe Korça, duke u renditur me shpejtësi pas Tiranës. Mendjelehtësinë e tyre mesa duket do ta paguajnë keq.
Por nuk mbaron këtu!
Bilanci i këtyre tre javëve është ky: Karantina nuk ka vlejtur aq sa pritej për të ulur numrin e të prekurve nga coronavirus. Dje ishin 23 raste, sot 29. Sot jemi vendi me vdekjen 100% për atë që janë në intubim ndërkohë që shtetet e tjera e kanë 50%. Gjithashtu kemi vdekshmërinë më të lartë se 5% që është mesatarja botërore.
Ndërkohë ekonomia ka rënë dhe po bie përditë duke ua bërë njerëzve edhe më të veshtirë. Turizmi falimentoi, prodhime bujqësore këtë vit nuk do të ketë, eksportet janë në pikën zero për shkak të pandemisë globale, bizneset e mëdha janë zhytur në borxhe dhe kredi, kurse të vegjëlit jetojnë me pagën 260 mijë që u ka ndarë qeveria.
Shqiptarët do ta vuajnë më shumë në prill varferinë, për shkak të mungesës së punës, uljes së pagave apo shkurtimeve masive që priten të bëjnë kompanitë e mëdha. Të gjithë ata që kanë sot biznese të mëdha, po bëjnë gati heqje nga puna, siç ka ndodhur me shumë prej tyre, që këtë muaj kanë paguar gjysëm page.
Prilli do jetë edhe më i ashpër qoftë për ekonominë, ashtu edhe për shëndetin duke parë shthurrjen e njerëzve nëpër rrugë, dyqane apo lokale lagjesh qe shesin raki, kafe dhe qofte pas qepenave të mbylluara.
Prandaj për të shpëtuar ekonominë dhe spitalet që po mbushen, ndoshta duhen forcuar masat e karantinës qoftë edhe duke pakësuar orët e lirisë. Në këtë pandemi çdo njeri që lëviz pa leje duhet konsideruar një armik dhe një rrezik. Kjo është një krizë që nuk zgjidhet as me mëshirë dhe as me keqardhje, por vetëm me dhunën e ligjit dhe shpejtësinë e veprimeve funksionale.
Heqja e qirave ishte një gafë, por oraret e karantinës ishin një masë duhur!