Llumi i Inteligjencës Artificiale po mbingop internetin dhe gjërat po bëhen dramatike me ritme të shpejta. Në botën online ku paraja është kthyer në qëllim, përdorues “fake” shpërndajnë llumin e tyre duke gjeneruar trafik të rremë dhe duke helmuar kreativitetin.

Inteligjenca Artificiale ka hyrë fuqishëm në lojë duke e bërë “llumin” shumë më të vështirë për t`u vënë re. Ditët e sotme, rreth gjysma e trafikut të gjeneruar në internet përbëhet prej robotave, shumica e të cilëve përdoren për qëllime shkatërruese.

Nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë se sa sot të publikosh përmbajtje mediokre që nga zbrazëtia e pakuptimësisë në rrjete të ndryshme sociale tek videot e shkurtra nonsens që hipnotizojnë mjaftueshëm fëmijët e vegjël dhe shkatërrojnë fokusin dhe vëmendjen e tyre, e deri tek librat e rishkruar pa pikë emocioni që shiten gjetke.

Po ashtu muzika e krijuar me Inteligjencë Artificiale ka pushtuar platformat e këtij sektori. Inteligjenca Artificiale e Google që kur ti e hap, tashmë po bën një përmbledhje të informacioneve të marra nga disa website, në vend që të lejojë njerëzit të shkojnë vetë tek këto website.

Në Youtube, kanale të reja po publikojnë video të gjata me foto, zëra dhe informacione të krijuara nga vetë IA. Video lidhur me krimet, historinë, shkencën. Asnjë hapësirë nuk po lihet bosh.

Jemi zyrtarisht në epokën e “llumit” nonsens. Dhe për fat të keq, puna kreative e vetë njerëzve po përdoret për trajnimin e këtyre modeleve artificiale. Çdo gjë e krijuar tashmë i është shitur kompanive IA, ose ndoshta edhe vjedhur nga ata, pa asnjë të drejtë autori apo pagesë kundrejt krijuesve realë.

Shumë punë krijuese tashmë janë në rrezik, sepse po vidhen në një sasi që është e pamundur dhe të mbrohen. Kjo është trishtuese disi, të mendosh se Inteligjenca Artificiale e ka potencialin të shkatërrojë internetin në mënyrë të pakthyeshme.

Në fillim Inteligjenca Artificiale na dukej një shpikje e mrekullueshme. Një tru mekanik që me një shpejtësi të rrufeshme mbledh informacion. Me këtë ndihmë kaq të madhe shkonim të lumtur në punë, por kur bëmë një fact-checking, e dinim që nuk do ishte perfekt, ama doli më keq nga sa mendonim.

Në bazë të një studimi të bërë në një sërë projektesh përgjatë një kohe relativisht të gjatë përfundimi ishte një rezultat fake. 80% e informacioneve të marra nga një kërkesë e bërë kundrejt IA, ishin ok, të marra nga Wikipedia, dokumente apo artikuj legjitimë. Por pjesa tjetër nuk dihej se nga merrej.

Gjithashtu doli se për ta bërë informacionin më plotësues, IA shtonte sugjerime akoma më interesante nga sa ishin në të vërtetë. Funksiononte fiks si një gazetar i keq që hiperbolizon me detaje për ta bërë narrativën akoma më prekëse. Që nga viti 2025 ekzistojnë rreth 1200 website të ndryshme IA që publikojnë artikuj të rreme dhe desinformojnë me tregime false.

Ky miksim i fakteve reale me informacione false dhe gjysmë të vërteta e bën IA të duket më e besueshme. Pikërisht këtu nis vdekja e internetit. Duke qenë se këto video apo informacione marrin miliona shikime, e vërteta e tyre merret si e mirëqenë dhe jemi në pikën ku desinformimi kthehet në fakt. Me këtë ritëm që IA po vijon, do të jetë e pamundur që të dimë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Problemi me Inteligjencën Artificiale është se sa i besueshëm duket. Sa të lehtë e ka të na gënjejë, ama sa lehtë e pranon fajin kur ne e kapim duke gënjyer. Madje të betohet që nuk do ta përsërisë më kurrë gabimin. E megjithatë, e bën prapë.

Inteligjenca Artificiale aktuale është një çekan shumë kompleks që në fakt nuk e kupton se çfarë po bën. Por, ne tashmë e kemi bërë pjesë të bibliotekës sonë të dijeve njerëzore. IA po ndryshon me ritme të shpejta dhe ndoshta përmirësohet, por për momentin nuk është aspak aty ku duhet. Pavarësisht kësaj, ka pafund njerëz që i besojnë verbërisht.

Në internet deri tani ekziston një burim i vërtetë dhe i vetëm: eksperienca dhe dija njerëzore. Por me trendin që po ecim nuk është e largët dita kur përmbajtjet e varfëra dhe gjysmë të vërteta do të rrëmbejnë pjesën më të madhe të vëmendjes njerëzore. Kjo do të na bëjë më budallenj, më pak të informuar dhe me një shfokusim të tepruar. Do të shkojmë deri në pikën kur të neglizhojmë ndërveprimin njerëzor. Nëse Inteligjenca Artificiale do ta bëjë këtë, atëherë kanale të vërteta dijësimi do të zbehen pak nga pak. Ose do t`i shtyjë ata që të përdorin po vetë inteligjencën artificiale, por kjo është një lojë që ne nuk duam ta luajmë.