Një histori që duket si skenar filmi kriminal, por që është realitet, është zbardhur nga Daily Mail, i cili ka publikuar një investigim të thelluar mbi vrasjen e biznesmenit shqiptar Ardian Nikulaj dhe rrjetin kompleks që qëndron pas saj.
Në qendër të kësaj historie është Ruben Saraiva, i cilësuar nga mediat britanike si “vrasësi i Home Counties”, i cili është intervistuar nga gazetari Tom Kelly nga burgu i sigurisë së lartë në Tiranë, pasi u dënua me burgim të përjetshëm për një atentat të mirëorganizuar, që sipas burimeve arrinte vlerën deri në 1 milion paund.
Ngjarja ndodhi në pranverën e vitit 2023 në Shëngjin. Një person i maskuar si shpërndarës hyn në një hotel luksoz buzë detit, përshëndet pronarin dhe, brenda pak sekondash, e qëllon disa herë nga afër. E gjithë skena kapet nga kamerat e sigurisë.
Por pas këtij akti nuk qëndron vetëm një krim i izoluar. Sipas artikullit, bëhet fjalë për një kapitull të ri në një konflikt të gjatë mes dy familjeve shqiptare, një cikël hakmarrjeje që zgjat prej dekadash dhe që lidhet me traditën e vjetër të Kanuni, ku gjaku lahet me gjak.
Hetimet sugjerojnë se Saraiva nuk veproi i vetëm. Ai dyshohet se u mbështet nga një grup shtetasish britanikë që shërbenin si ekip vëzhgimi, duke u paraqitur si turistë në hotelin e viktimës. Organizimi i atentatit, sipas prokurorëve, lidhet me persona të tjerë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët besohet se e financuan operacionin si pjesë e një hakmarrjeje për një ngjarje të ndodhur më shumë se dy dekada më parë.
Sipas të dhënave, gjithçka nisi në vitin 1997 pas një konflikti të vogël për një shumë modeste parash, që më pas u kthye në një zinxhir vrasjesh që vijon edhe sot. Vetëm pas atentatit ndaj Nikulajt, janë regjistruar edhe dy viktima të tjera, duke e çuar bilancin në nëntë.
Rruga e Saraivës drejt këtij krimi është po aq e errët sa vetë ngjarja. I lindur nga prindër portugezë dhe i rritur në Mbretërinë e Bashkuar, ai kishte një jetë që fillimisht dukej normale. Por problemet me ligjin nisën herët, fillimisht me trafik droge dhe më pas me një sulm me thikë që e çoi në burg.
Rruga e Saraivas drejt krimit
Ruben Saraiva vinte nga dy prindër me profesione modeste dhe njiheshin si njerëz të sjellshëm dhe punëtorë, prandaj dhe i gjithë rrethi i tyre u habit nga rruga që ndoqi i riu.
Saraiva u zhvendos nga Portugalia në Mbretërinë e Bashkuar me të atin kur ishte katër vjeç. Kur nëna e tij erdhi në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet më vonë, ai e ndau kohën midis babait të tij, i cili jetonte në periferi të Reading, Berkshire, dhe nënës së tij që u vendos në Leëisham, në juglindje të Londrës.
Fotografitë e Saraivas në rini e tregojnë atë të veshur me kostum e kravatë, një i ri që ndiqte shkollën në mënyrë të rregullt. Një djalë i heshtur që u rrit si dëshmitar i Jehovait. Shkolla dhe loja e futbollit me shokët e përshkruanin më së miri fëmijërinë e tij. Por në adoleshencë iu fut një rruge tjetër, kur në moshën 17-vjeçare u kap duke shitur kokainë dhe heroinë në rrugë. Por ai u rikthye shumë shpejt në telashe pasi goditi me thikë një 17-vjeçar gjatë një sherri me thikë. Familjarët besojnë se pikërisht gjatë kohës në burg ai u lidh me rrjete kriminale, përfshirë kontakte shqiptare.
Në Shqipëri, ai mbërriti në fillim të vitit 2023 dhe qëndroi për javë të tëra në zonën e Shëngjinit, duke vëzhguar lëvizjet e viktimës. Sipas dëshmive, ai qëndronte për orë të tëra në pritë, duke shmangur çdo gjurmë që mund ta implikonte.
Pas krimit, ai u largua nga vendi dhe u arrestua më vonë në Marok, për t’u ekstraduar në Shqipëri në fund të vitit 2023. Gjatë gjyqit në Lezhë, ai u shpall fajtor për vrasje me paramendim dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Në intervistën e dhënë nga burgu, Saraiva ka mohuar përfshirjen, duke pretenduar se kishte ardhur në Shqipëri vetëm për pushime. Ai është ankuar gjithashtu për kushtet e izolimit, duke deklaruar se mbahet i mbyllur për pjesën më të madhe të ditës dhe nën masa të rrepta sigurie.
Ndërkohë, burime nga sistemi penitenciar shqiptar pretendojnë se ai mbahet në mbrojtje të shtuar, pasi ekzistojnë informacione se personat që financuan atentatin mund të kërkojnë eliminimin e tij për të shmangur zbulimin e identitetit të tyre.
Historia nuk mbaron këtu. Konflikti mes familjeve vazhdon, ndërsa frika për hakmarrje të reja mbetet e pranishme. Të afërmit e viktimës paralajmërojnë për rrezik të vazhdueshëm, duke e kthyer këtë histori në një cikël të hapur dhune që ende nuk ka një fund.
