
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka folur ditën e sotme në “Breaking” me moderatoren Elisa Gjerani në lidhje me sulmet kibernetike dhe paralajmërimit të fundit të “HomelandJustice” për nxjerrjen e informacioneve.
Sipas Karamuços, ka qenë një i brendshëm i cili i ka ndihmuar hakerat për të hyrë në sistem.
“Në sistem nuk mund të hysh pa një të brendshëm, pra ne duam të dimë se kush e “la derën hapur”.
Nuk mund të jenë vetëm iranianë, mund të jenë edhe grupe shqiptare që kanë interes të caktuar. Prokuroria ka kërkuar që të mbyllen faqet e internetit.
Ata që “e lënë derë hapur”, mund të jenë persona të cilët nuk janë vlerësuar siç duhet. Ky hetim nuk mund të bëhet vetëm me një prokuror, duhet një skuadër e mirëfilltë.
Nëse informacionet e shpërndara nga hakerat janë të vërteta, atëherë duhet të themi se jemi në kushtet e gjendjes së Emergjencës Ndërkombëtare.
Dalja e të dhënave nga hakerat, që përfshiu rreth 1500 emrave të punonjësve të sigurisë së shtetit, është një shantazh,”- u shpreh Karamuço.
Në lidhje me kërcënimet për sulme me dron në zonën e MEK, Karamuço tha se kjo “është e pamundur, janë veçse një propagandë. Ne jemi një vend në NATO dhe i sigurt. Ata duan të intimidojnë Policinë e Shtetit”.